Deklaratat përmbyllëse në rastin e Salih Mustafës, mbahen nga 13 shtatori
V.Thaçi/RTKlive
Trupi gjykues, ka nxjerrë një vendim, në të cilin është përcaktuar rendi i ditës për deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Salih Mustafës.
Këtë e kanë bërë e ditur Dhomat e Specializuara përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare.
Në njoftim thuhet se më 31 gusht, Trupi Gjykues i përcaktoi rendin e ditës për deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore Mustafa, e planifikuar të mbahet nga 13 shtatori deri më 15 shtator, kurse data 16 shtator e planifikuar si ditë rezervë).
“Rendi i ditës në vijim të seancës, mund të ketë ndryshime në bazë të vendimeve të Trupit Gjykues, konkretizohet se deklarata përmbyllëse e ZPS-së do të mbahet më 13 shtator, kurse me 14 shtator do të mbahet deklarata përmbyllëse e avokatit të viktimave. Përgjigjet, pyetjet nga Trupi Gjykues dhe deklaratat në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të mbahen më 15 shtator, thuhet në vendim”, njoftojnë Dhomat e Specializuara.
Sali Mustafa është akuzuari i parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.























