Bunjaku: Kurti nuk po bisedon me sindikalistët-Video
BKT
Lajme

Bunjaku: Kurti nuk po bisedon me sindikalistët-Video

Muharrem Miftari/RTKlive

(E plotësuar)Lidhur me grevën deputeti Rexhaj shprehu bindjen se nuk do të zgjasë kjo grevë dhe që, sikundër është kërkuar ma herët, së shpejti do të bëhet gati Ligji për Pagat, që ka qenë kërkesë nga shumë sektorë të punës.

“Në takimet që janë zhvilluar mes përfaqësuesve të pushtetit dhe të sindikatave është cekur se koeficienti për mësuesit do të jetë më i larti që ka qenë ndonjë herë”, deklaroi Rexhaj.

Më tej Rexha sqaroi se menjëherë sa të fillojë punën Kuvendi do të jetë gati Ligji për Paga dhe Ligji për Shërbyes Publikë.

Derisa bëhej pyetje se mos është vonuar ky ligj, pra Ligji për Paga, deputeti Rexhaj theksoi se ky nuk ishte premtim elektoral, siç ishte premtim i PDK-së.

Duke bërë fjalë për grevën, deputeti  Rexhaj përmendi nenin 7 dhe atë 18, në të cilat flitet për grevën, për efektin e  grevës, ku, mes tjerash, bëhet fjalë për  pagesën a mospagesën gjatë kohës së mbajtjes së grevës, pra pezullimin që rrjedh nga kontrata e punës.

Nga ana tjetër, lidhur me këtë, deputetja Eliza Hoxha, duke shprehur keqardhjen dhe indinjatën për, siç tha ajo, rolin dhe sjelljen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili, në serbisht i lutë qytetarët serbë që të zbatojnë vendimin për targat, ndërsa në anën tjetër kërcënon grevistët për mbajtjen e grevës.

“Nuk është me rëndësi koeficienti i pagës, por sa është paga”, theksoi, mes tjerash, deputetja Hoxha.

Ndërsa deputetja Bunjaku, sa i përket grevës së arsimtarëve dhe punëtorëve të administratës, shtoi se është për keqardhje për këtë që po ndodhë, teksa kritikoi pushtetin aktual për neglizhencën ndaj kërkesave të arsimtarëve, sepse, sikundër tha ajo, ata kanë kërkuar gati një vit që të bëhet diçka në të mirë të arsimit.

Ajo kritikoi qasjen e kryeministrit me sindikalistët, sipas saj nuk po dialogon me ta.

(E plotësuar) Rexhaj: Targat do të jenë RKS

Sa i përket targave, kryeministri Kurti bëri thirrje qytetarëve serbë që të bëjnë konvertimin e tyre në ato të reja, me targa të Kosovës, në RKS, ndërkohë që, në anën tjetër, kishte fushatë nga pala serbe që  kundërshtonte ftesën e kryeministrit Kurti.

Për këtë çështje është deklaruar edhe i dërguari i posaçëm nga BE, Miroslav Lajçak, i cili tha se kemi kohë dy muaj të merremi me këtë çështje.

Lidhur me këtë, deputeti Rexhaj shtoi se në kuptimin e një vendimi sot ka filluar të zbatohet.

“Duhet të vazhdojmë me reciprocitetin sa i përket targave”, tha deputeti Rexhaj, teksa përmendi arritjet, përmes reciprocitetit në fushat tjera, deri më tani.

Sipas tij targat duhet të jenë RKS.

(E plotësuar)Hoxhaj: Pasojat e energjisë sot, shkak i veprimeve të LVV-së në opozitë

 Lidhur me marrëveshjen e arritur për energjinë deputeti Rexhaj, duke mohuar akuzat se marrëveshja për energjinë është bllokuar nga LVV, theksoi se duke qenë asociacioni dhe pastaj marrëveshja për energjinë kemi konsideruar se bie komplet në domenin që krijon kompetencën ekzekutive në fushën e sigurisë, ambientit , etj. "Për këtë arsye ka qenë e papranueshme", shtoi ai.

"Opozita nuk ka kredibilitet moral, as politik të na kritikojë neve për këtë shkak", tha deputeti Rexhaj.

Duke e bërë me dije lidhur me zbatimin e marrëveshjes mbi energjinë, ku është caktuar Elektrosever si operator, e cila nuk përfillë asnjë nga pikat e marrëveshjes, deputeti Rexhaj deklaroi se, derisa opozita na akuzon se ne, si LVV, nuk po dialogojmë me Serbinë, ne këtë marrëveshje kemi bërë në atë mënyrë që operatori Elektrosever të jetë nënkontraktor i KEDS-it.

Duke kundërshtuar mendimin e Rexhajt për marrëveshjen për  energjinë, deputetja Hoxha theksoi se në të gjitha marrëveshjet Serbia ka qenë bllokuese, sikundër ndaj energjisë, që edhe sot vazhdon lojën e bllokimit.

“Tani jeni ulur në një karrige ku janë ulur të tjerët dhe tani ndieni peshën e dialogut dhe arritjes, si dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura, që ne dikur kemi qenë mjaftë të durueshëm e mbi të gjitha vigjilentë, kur ju nuk jeni treguar fare të kujdesshëm kur ishit në opozitë”, tha deputetja Hoxha.

Ajo më tej kritikoi LVV-në, qeverinë Kurti, që ka bllokuar të gjitha proceset që kanë çuar dëm zhvillimin e energjisë.

(E plotësuar) Rexhaj: Marrëveshja për lëvizjen e lirë sot gjen zbatim

Deputeti  nga radhët  e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, theksoi se marrëveshja e arritur tani, që  disa zëra që konsiderojnë si vazhdimësi e marrëveshjes së vitit 2011, por që nuk ka gjetur zbatim. Tani po.

“Tashmë në pozitë kemi nisur në praktikë zbatimin e reciprocitetit, për këtë kemi pasur këshillën nga ambasadori amerikan që ta shtyjmë për 31 gusht zbatimin e marrëveshjes dhe Kosova pati një fitore ndaj Serbisë”, tha deputeti Arbër Rexhaj në RTK Prime, ku, përveç tij, janë të ftuar edhe deputetet Eliza  Hoxha, nga radhët e PDK-së dhe Valentina Bunjaku, nga LDK, për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së arritur për lëvizjen e lirë në mes të Kosovës e Serbisë.

Deputeti Rexhaj më tej shtoi se tanimë nuk duhen dokumente të tjera përcjellëse, por vetëm letërnjoftimi për të lëvizur lirshëm në të dyja anët e kufirit.

Ndërsa Eliza Hoxha, lidhur me arritjen e marrëveshjes dhe zbatimit të saj, tha se gati 90 për qind e marrëveshjes së arritur tani,së fundi, gjason me marrëveshjen e arritur më 2011, kur atëbotë LVV e kishte kundërshtuar dhe bllokuar.

Më tej, ajo theksoi se PDK mbështet marrëveshjen që çon në zgjidhjen finale e jo marrëveshje të tilla që mund të thuhet se janë një riciklim i marrëveshjeve të arrira më herët.

Deputetja Hoxha shtoi se për shkak të dialogut që dikur kryeministri i vlerësonte si prioritet të gjashtë apo shtatë, tani po del prioritet kryesor, ku lë në hije shumë probleme tjera që janë jetike për qytetarët e vendit.

E nga ana tjetër, deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku, duke kritikuar kryeministrin Kurti për mungesë të transparencës, theksoi se LDK është mbështetëse për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është edhe kjo e tanishmja.

Si deputetja Hoxha, ashtu edhe deputetja Bunjaku, kritikuan kryeministrin Kurti për qasjen e tij ndaj opozitës, duke sqaruar se ai do të duhej t’u drejtohej deputetëve në Kuvend mbi ecurinë  dialogut dhe arritjen e marrëveshjes mbi lëvizjen e lirë mes Kosovës e Serbisë.

Për më tepër ndiqni videon:


MË SHUME NGA Lajme