Analistët: Serbët ende nuk kanë vullnet për konvertimin e targave
BKT
Lajme

Analistët: Serbët ende nuk kanë vullnet për konvertimin e targave

Kosovare Gashi / Radio Kosova

Një ditë pas fillimit të procesit të regjistrimit të automjeteve nga targat ilegale në ato RKS, nuk shihet vullnet te serbët për konvertim.

Njohësit e rrethanave politike në vend e konsiderojnë më problematike pjesën veriore të vendit për shkak të ndikimit të madh të Qeverisë së Serbisë në atë pjesë.

Njohësit e rrethanave politike në vend nuk shohin vullnet te qytetarët serbë të Kosovës për regjistrimin e automjeteve nga targat ilegale në ato RKS. Analisti Arton Demhasaj ka thënë për Radio Kosovën se meqë afati kohor për konvertimin e targave është i ditur, atëherë serbët nuk do të kenë rrugëdalje tjetër, ani pse vullneti për konvertim iu mungon.

“Ende nuk ka vullnet për konvertimin e targave, por derisa marrëveshja ekziston dhe ka një afat kohor të caktuar, mendoj që ata nuk kanë alternative tjetër, dhe duhen patjetër t’i konvertojnë tabela”, ka thënë Demhasaj.

Demhasaj theksoi se problemi më i madh është në pjesën veriore, për shkak të ndikimit të madh të Qeverisë së Serbisë në atë pjesë.
 

 “Sigurisht që problemi më i madh është në pjesën veriore, sepse në pjesët e tjera të Kosovës, një pjesë e madhe e qytetarëve serbë, kanë qenë të pajisur me tabela RKS, por në pjesën veriore problemi qëndron te ndikimi i madh i Qeverisë se Serbisë tek ajo pjesë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, konsideron se serbët nuk kanë vullnet për konvertim të targave në RKS, por thotë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma për t’i detyruar ata.

 “Qeveria e Kosovës sigurisht që  do të ballafaqohet me procesin e konfiskimit të automjeteve, dhe në këtë mënyrë do t’i detyrojë serbet që t’i konvertojnë targat nga ilegale ne RKS”, ka thënë Spahiu.

Siç ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, me 1 shtator ka filluar procesi i regjistrimit të automjeteve nga targat ilegale në ato RKS në të gjithë qendrat e regjistrimit në Kosovë. Procesi i konvertimit të targave do të zgjasë deri me 31 tetor të këtij.
 

 


MË SHUME NGA Lajme