Hamiti:Ne kemi nevojë një abetare për të rritur edhe për qeveritarët
Muharrem Miftari/RTKlive
Derisa në Beograd po mbahet takimi i “Ballkanit të Hapur”, marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për dokumente për qarkullim të lirë të njerëzve po vihet në zbatim tash e dy ditë, ndërkohë që brenda dy muajsh pritet të arrihet edhe marrëveshja për targat.
Lidhur me këtë në Info Plus, në RTK, veprimtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, foli për arritjen e marrëveshjes për qarkullim ndërmjet dy shteteve me letërnjoftim.
Sipas tij, bëhet fjalë për një marrëveshje e arritur para 11 vjetësh, që dikur kjo qeveri damkoste çdo gjë, derisa i ka cilësuar edhe tradhtarë ata që kishin shkruar atë marrëveshje.
“Kjo qeveri e ka kthyer dialogun në çështje teknike, që bile thuhet edhe marrëveshje gojore”, theksoi mes tjerash Hamiti, duke sqaruar më tutje se kosovarët kanë udhëtuar në Serbi me letërnjoftim tash e 11 vjet.
Ish-ambasadori Hamiti vlerësoi se Kosova ka nevojë për një marrëveshje të përgjithshme me njohje reciproke, që "ne nuk po shohim se jemi në këtë rrugë".
Ndërsa për marrëveshjen për targat Hamiti mendon se është marrëveshje e pranueshme se ato targa, sipas tij, janë ilegale, bile të përpiluara në Serbi për komunat e Kosovës.
Ndërsa sa i përket arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, Hamiti tha se ka mundësi të arrihet brenda kësaj periudhe, sikundër kanë paralajmëruar edhe BE, por me vullnet politik dhe shtytje nga qarqet ndërkombëtare, si dhe gatishmëri, dije e përkushtim të Qeverisë së Kosovës.
“Status quo-ja i shërben politikës ruse dhe asaj serbe, prandaj kjo qeveri duhet ta rikthejë dialogun në nivel politik me elemente të marrëveshjes me njohje. Uroj që qeveria ta kuptojë urgjencën e dialogut dhe ta shfrytëzojë gatishmërinë dhe këtë vullnet ndërkombëtar, sepse Kosova ka nevojë jetike marrëveshjen me njohje reciproke, sepse nuk ka zgjidhje dhe marrëveshje për normalizim pa njohje reciproke", tha, mes tjerash, Hamiti.
E, sa i përket grevës së SBASHK-ut, Hamiti tha se duhet zhvilluar dialogu në mes të qeverisë dhe sindikatës së arsimit, gjë që, sipas tij, mungon.
“Kjo qeveri nuk ka kujdesin ndaj qytetarëve të vet, në këtë rast as ndaj mësuesve, shërbyesve civilë e madje as të punëtorëve shëndetësorë”, deklaroi Hamiti.
Duke komentuar gjendjen e tanishme, Hamiti theksoi se dje festonin qeveritarët festën e abetares, abetaren e përbashkët, me fjalime patriotike, në kohën kur nuk e festonin fëmijët.
“Me gjasë ne kemi nevojë një abetare për të rritur edhe për qeveritarët”, tha për Info Plus ish-ambasadori i Kosovës në Angli, Muhamet Hamiti.























