Mësimdhënësja Remzie Gashi përjashtohet nga shkolla, shkak mbulesa -Video
BKT
Lajme

Mësimdhënësja Remzie Gashi përjashtohet nga shkolla, shkak mbulesa -Video

Myrvete Axhami / RTK

Grevës së mësimdhënësve të shkollës "Flamuri i Arbërit" në Reshtan të Suharekës nuk po mund t`i bashkohet mësimdhënësja Remzie Gashi. Ajo ditë më parë nuk është lejuar të hyjë në objektin shkollor, pasi vendosi të vishet me kostum fetar.

Ajo punoi rreth 30 vjet si mësuese në këtë shkollë, por këto ditë nuk u lejua të hynte për të dhënë mësim. Pengesë për të u bë mbulesa në kokë, të cilën e vendosi pasi u kthye nga haxhi. Këtë e pohon për RTK-në vëllai i Remzies, Sabit Gashi.

Mësimdhënësja Gashi nuk ka dashur të deklarohet për media, pasi për rastin e saj është angazhuar avokati i cili mbajti gjatë ditës një konferencë për media lidhur me rastin e saj.

Në shkollë kolegët e saj ndihen keq me atë që ndodhi me Remzien, teksa për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Komunës Bali Muharremaj. Në postimin e tij në Facebook, Muharremaj ka thënë se askush nuk është mbi ligjin dhe se bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna.

"Kjo ndodh në organet komunale me një procedurë tash të rregulluar mirë. Në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht mua si kryetar për veprimet institucionale. Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur", ka shkruar Muharremaj, teksa ka thënë se nga e hëna do ta trajtojë këtë rast me prioritet.

Rasti i Remzie Gashit solli edhe reagim në rrjete sociale, derisa edhe ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci vendosi t'u përgjigjej këtyre reagimeve. Ajo shkroi se nëse ekziston një vendim i tillë, atëherë ai është i paligjshëm, i padrejtë dhe si i tillë nuk shkakton asnjë pasojë juridike.

Kronika e mëposhtme sjell detajet:


MË SHUME NGA Lajme