Osmani: Të gjendet zgjidhje për fillimin e mësimit-Video
BKT
Lajme

Osmani: Të gjendet zgjidhje për fillimin e mësimit-Video

Venera Xhoxhaj/ RTK

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas disa takimeve që ka pasur gjatë ditës së sotme lidhur me çështjen e grevës.

Ajo ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje sa më parë që mësimi të fillojë të hënën, sepse nxënësit janë duke pësuar.

 “Sot gjatë tërë ditës kishim takime. Në radhë të parë me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, Këshillit të Nxënësve, Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, BSPK-në, SBAShK-un, me bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Me të gjithë këta diskutuam për mundësitë për rifillimin e procesit mësimor nga e hëna e javës që vjen”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se nuk duhet lejuar që të cenohet e drejta kushtetuese e fëmijëve, por duhet  të përmirësohet cilësia e sistemit arsimor.

“Për më tepër përgjatë gjithë ditëve që kaluan vazhdimisht kam qenë në komunikim me Qeverinë e Kosovës gjë që ka vazhduar edhe sot dhe do të vazhdojë edhe nesër dhe tutje lidhur me këtë çështje. Dua të theksoj se e drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejojmë asnjëri nga ne që të cenohet, por përkundrazi duhet të bashkojmë forcat që të përmirësojmë cilësinë e sistemit tonë arsimor me nxënësit në qendër të vëmendjes”, tha ajo.

Tutje presidentja ka thënë se interesi i fëmijeve është parsor dhe mësimi duhet të filloj menjëherë.

“Interesi i nxënësve, fëmijëve të këtij vendi, është parësor ndaj mësimi duhet të fillojë menjëherë. Sot në takime me shoqatat e nxënësve dhe prindërve diskutuam për sfidat e shumta me të cilat fëmijët ballafaqohen në shkollat tona – që nga aspekti infrastrukturor tek çështjet e sigurisë, cilësia e arsimit në shkolla e deri te ngacmimet seksuale dhe bulizmi – dukuri që janë prezentë gjithnjë e më shumë. Kam garantuar si presidente që do të shtyjë përpara adresimin e të gjitha këtyre çështjeve, duke pasë në qendër të vëmendjes fëmijët dhe fëmijët. Jam e përkushtuar maksimalisht për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që procesi mësimor të fillojë sa më parë që të jetë e mundur dhe që nxënësit të mos pësojnë më tutje, sepse është interesi i tyre që po dëmtohet pariparueshëm”, tha ajo.

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka deklaruar se pala që tutje duhet të bëjë lëvizje janë sindikatat. "Qeveria e ka bërë një hap tutje me prezantimin e pakos për mbështetje financiare. Tash është radha që sindikatat të marrin parasysh dhe ta diskutojnë në mënyrë që të bëjnë zgjidhje", ka thënë Osmani.


MË SHUME NGA Lajme