Qeveritarët e Kosovës për herë të parë zyrtarisht në Luginë - Video
Baki Rexhepi / RTK
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, qëndruan për herë të parë si përfaqësues të Kosovës në Luginë të Preshevës.
Qeveritarët e Kosovës u premtuan shqiptarëve në Luginë të Preshevës qasje serioze të Republikës së Kosovës për të ndihmuar ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve në këtë zonë.
Bislimi e Nagavci vizitën e filluan në Këshillin Kombëtar Shqiptar, takuan deputetin popullor Shaip Kamberi, kryetarin e Komunës në Bujanoc Nagip Arifin dhe vizituan dy shkolla fillore në Bujanoc e Preshevë.
Dyshen qeveritare të Republikës së Kosovës nikoqirët e njohën me gjendjen reale të shqiptarëve, mungesën e të drejtave themelore, pasivizimin e adresave dhe ikjen e të rinjve nga ky rajon.
Mysafirët i falënderoi për vizitën, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, Ragmi Mustafi.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka folur edhe për letrën e kancelarit Scholz që ditë më parë i kishte ardhur kryeministrit Kurti.
Bislimi e Nagavci kanë takuar edhe përfaqësuesit e partive politike që i tubojnë shqiptarët e Luginës dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të cilat zhvillojnë aktivitete në këtë rajon.
Bislimi: E frikshme shpejtësia me të cilën Serbia po e shpopullon Luginën
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Pas takimit që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pati me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi ka shprehur shqetësimin lidhur me politikat e Serbisë që sipas tij me shpejtësi të frikshme po e shpopullojnë Luginën.
Ai këtë e lidhi edhe me numrin e vogël të nxënësve që janë aktualisht në Luginë, prej 4 mijë e 10 nxënësish duke thënë se në të kaluarën në shkollat e Luginës së Preshevës kanë vijuar mësimet mbi 13 mijë nxënës shqiptar.
Në deklarimin para gazetarëve ai tha se fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë
“Vizituam dy shkolla, u dhamë libra falas. 4 mijë e 10 nxënës kanë përfituar tekstet falas për gjitha klasat e fillores. Po aq sa jemi të gëzuar që kemi pasur mundësinë të mbulojmë këtë kosto, po aq jemi të shqetësuar se kemi ndarë libra vetëm për 4 mijë e 10 nxënës duke ditur që para pak vitesh në shkollat e Luginës kanë vijuar mësimet mbi 13 mijë nxënës shqiptarë. Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia me politikat e saj ka arritur të shpopullojë këtë regjion. Tani ka ardhur momenti t’i tregojmë Evropës se si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë meqë nuk ka asnjë regjion në Evropë ku popullata ende në vitin 2022 lufton për tekste mësimore, për të drejta bazike e përfaqësim qoftë minimal në institucione shtetërore”, ka thënë Bislimi.
Kamberi kërkon më shumë prani të Kosovës në Luginë
(Plotësuar) Edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka zhvilluar takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci gjatë qëndrimit të tyre në Luginë.
Ai ka treguar se në këtë takim ka theksuar nevojën për një prani më të madhe të Kosovës në Luginën e Preshevës.
“Biseduam për rrjedhat e përgjithshme politike në Luginë të Preshevës e rajon, nevojën e prezencës më të madhe të Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës me projekte konkrete, nevojat e qytetarëve të Luginës në Kosovë e sidomos për angazhim më të madh të përfshirjes të të drejtave të shqiptarëve në dialog me Serbinë duke aplikuar parimin e reciprocitetit”, ka shkruar Kamberi.

Bislimi e Nagavci në Luginë, premtojnë përkrahje për shqiptarët
Baki Rexhepi / RTK
(Plotësuar) Ka mbërritur në Bujanoc, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Ata janë pritur nga Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë ku edhe kanë mbajtur një takim.
Zyrtarët nga Kosova premtuan qasje serioze për të ndihmuar në ndryshimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë.
Bislimi tha se qasja e Kosovës karshi shqiptarëve në Luginë, do të jetë konstruktive.
Ai ka përmendur fondin prej 2 milionë eurosh, për ndarjen e linjës buxhetore për blerjen e librave për mbi 4 mijë nxënës të shkollave fillore dhe për përfshirjen e çështjes së Luginës në agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi.
Zyrtarët nga Kosova zhvilluan takim edhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip kamberi.
Më vonë do të priten edhe nga kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare.


Bislimi dhe Nagavci sot vizitojnë Luginën
N. Mekolli /RTKlive.com
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizitojnë, të hënën (sot) Luginën e Preshevës.
Sipas agjendës Bislimi dhe Nagavci do të kenë takim me Këshillin Kombëtar Shqiptar, takim me deputetin Shaip Kamberi, me krerët e Komunës së Bujanocit, vizitë në Shkollën Fillore ‘’Muharrem Kadriu’’, Tërnoci, vizitë në Shkollën Fillore “Ibrahim Kelmendi”, Preshevë.
Pastaj do të kenë një drekë pune me liderët politik të Preshevës dhe takim me shoqata, biznese dhe personalitete të shquara në Bujanoc", kështu ka njoftuar dje, Qeveria e Kosovës.
Vizita e Bislimit dhe Nagavcit në Luginë është vizita e nivelit më të lartë e realizuar ndonjëherë nga zyrtarët e Kosovës.Delegacioni nga Kosova do të shpërndajnë edhe librat për nxënësit shqiptar në Luginë së bashku me Këshillin Kombëtar Shqiptar
Kjo vizitë e zyrtarëve të Kosovës në Luginë, do të zhvillohet në ditën kur në Kosovë pritet të vjen për vizitë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.























