Kurti: Liria e siguria janë qenësore, Policia duhet të jetë garancë për to
Rtklive
Në Fokus

Kurti: Liria e siguria janë qenësore, Policia duhet të jetë garancë për to

Blerim HALIMI / RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës e ka vlerësuar këtë institucion me kredibilitet, i cili ka kryer me vendosmëri detyrën e tij në mbrojtje të sovranitetit e sigurisë së qytetarëve të vendit dhe në luftën ndaj krimit. Por, kreu i ekzekutivit ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të vazhdojë të jetë në nivelin më të lartë të detyrës në mbrojtje të sigurisë dhe jetës së qytetarëve.

“Viti i themelimit të Kosovës përkon me çlirimin e vendit tonë. Qindra ushtarë të UÇK-së në vitin 1999 pas uniformës fitimtare ushtarake vazhduan me misionin e zyrtarit policor në shërbim të Kosovës dhe të qytetarëve tanë. Angazhimi i policëve tanë nuk pushoi asnjëherë që prej atëherë. Nga ministri i parë i brendshëm në Kosovën e çliruar Rexhep Selimi e deri te ministri aktual. Zyrtari policor përveç përgjegjësisë që mban mbi supe, çdo ditë të jetës së tij në detyrë dhe jashtë saj e ka edhe peshën e misionit më fisnik që ndokush mund ta ketë, sigurinë e vendit dhe jetës së qytetarëve. Liria dhe siguria janë qenësore dhe ju duhet të jeni garancia për to. Liria është e qytetarit dhe siguria është për qytetarin”, ka theksuar Kurti.

Ai tutje ka folur për rastin e ndodhur javën e kaluar kur një e mitur u dhunua nga pesë persona, teksa kërkoi nga policia që të jetë në nivelin më të lartë në mbrojtje të qytetarëve.

“Një vajzë e mitur e cila do të duhej të ishte në bankat shkollore ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga 5 dhunues. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private por çështje e sigurisë dhe e miërqenies publike dhe sociale, andaj nga ju pritet e kërkohet që të jeni në nivelin më të lartë të detyrës në çdo rrugë e çdo cep të vendit tonë. Mbani me përgjegjësi detyrat tuaja, ashtu sikurse ne si qeveri mbajmë përgjegjësitë tona ndaj jush dhe secilit qytetar të vendit tonë. Trasoni rrugë lehtësisht të kalueshme për të gjithë por edhe për brezat e rinj të cilët vendosin të vazhdojnë rrugën tuaj”, ka shtuar kryeministri.

Tutje, kreu i ekzekutivit ka thënë se për këtë sa bashkëpunon me këtë institucion është dëshmuar se Policia e Kosovës është e pakompromis në luftën ndaj krimit. “Për këtë janë rezultatet tuaja që dihen jo vetëm në Kosovë por edhe botërisht. Nuk jeni ndalur ndonëse nga bandat e ndryshme u janë drejtuar armët e ju janë shkrepur plumbat. Puna dhe rezultate tuaja të përditshme do t’i pengojnë krimit dhe atyre që e ushqejnë atë. Përpjekjet për të ju mundur e për të ju zmbrapsur do të jenë të vazhdueshme. Qarqe të caktuara do të përpiqen t’u kthejnë në anën e tyre, por ju angazhohuni që ata të dështojnë“, ka nënvizuar Kurti.

Ai ka thënë se në çdo ditë të punës të gjithë bashkë i kujtojmë 21 policët që ranë në krye të detyrës në përpjeke të vendosjes së rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovçës.

“Ata nuk u dorëzuan përballë asgjëje dhe ranë duke zbatuar misionin e përbashkët. Heroi ynë Enver Zymberi u ballafaqua me bandat kriminale serbe. Rënia e tij në mbështetje të sovranitetit tonë shtetëror dhe respektimit territorial të shtetit dhe kundër krimit e paligjshmërisë do të mbetet për të gjithë ne si shembull i dashurisë së pakusht për Republikën tonë“, është shprehur Kurti.

Ai tha se integriteti moral dhe personal janë shtylla të domosdoshme për Policinë e Kosovës.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat që keni në detyrat tuaja dhe asnjëra nuk është e patejkalueshme, ndonëse kërkon kohë. Bashkërisht duhet të punojmë për të mbushur zbraztirat që janë krijuar ndër vite për të krijuar një Polici model, që mund t’ju përgjigjet të gkjitha situatave. Integriteti moral dhe personal janë shtyllat e domosdoshme brenda Policisë së Kosovës, një polici e cila është shembull për profesionalizmin e saj, ndërsa edhe ne do të qëndrojmë përballë përgjegjësive që kemi ndaj juve”, ka thënë ai.

Osmani: Policia e Kosovës ka dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është nder

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Policia e Kosovës është një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit tonë dhe që ka luajtur rol të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit tonë. Ajo në ceremoninë e 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës ka thënë se ky institucion me të gjitha segmentet e tij përbëjnë jo vetëm nga hallkat e shtetit por edhe një nga historitë më të suksesshme se si mund të themelojmë e të ngrisim institucione të besueshme.

“Me këtë rast dua t’ua uroj përvjetorin e themelimit të gjithë pjesëtarëve të Polisisë së Kosovës dhe t’i falënderoj në emër të institucioneve dhe të gjithë qytetarëve për angazhimin gjatë këtyre gjatë 23 viteve. Ju keni qenë vazhdimisht ndër shtyllat e fuqishme të shtetit onë dhe garantuesit e përhershëm të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve të vendit tonë“, ka theksuar presidentja Osmani.

Ajo gjatë fjalimit ka përkujtuar policët që kanë rënë në detyrë, duke filluar nga Enever Zymberi dhe policët e tjerë, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për t’i shërbyer atdheut.

“Ata janë kujtesa e përhershme, por duhet të vazhdojnë të mbesin edhe motivimi ynë i përhershëm për t’i dalë zot atdheut dhe për t’i shërbyer qytetarëve të vendit. Në 23 vitet e ekzistimit të saj Policia e Kosovës ka dëshmuar se angazhimi për vendin, shërbimi ndaj tij është nder dhe ideal. Sepse ideali për t’i shërbyer vendit nuk mund të kushtëzohet nga shtysat e tjera, e ju i keni shërbyer secilit qytetar pa dallim etnie e feje ose dallime tjera”, ka shtuar Osmani.

Ajo tutje ka thënë se “Policia e Kosovës krahas partnerëve tjerë të sigurisë është kudjesur që kufijtë e shtetit tonë të mbrohen e të mbikqyren si dhe të kjenë pika të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve e asnjëherë pengesë e qarkullimit të tyre. Kësisoj ju keni ndihmuar në ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës”.

Presidentja Osmani ka thënë se Republika e Kosovës është e interesuar ta zhvillojë policinë dhe barazinë gjinore në këtë institucion, teksa theksoi se anëtarësimi në Interpol dhe organizata tjera është shumë i rëndësishëm për arritjen e këtyre synimeve.

Sveçla: Shtrirja e sovranitetit dhe ligjshmërisë në tërë vendin mbetet një nga sfidat e policisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se shteti duhet të ofrojë drejtësi për të gjithë dhe dënim meritor për kryerësit e veprave kriminale. Ai tha se duhet rritur siguria për të gjithë, por në veçanti për fëmijët dhe gratë.

“Shteti ynë duhet të ofrojnë drejtësi për të gjithë e dënim meritor për kryesit e veprave kriminale. Ne duhet të rrisim sigurinë në vend për të gjithë qytetarët, por në veçanti për ata më të lëndueshmitë, fëmijët dhe gratë tona. Në detyrën për t’i mbrojtur si institucione jemi ballafaquar me sfida, në të cilat edhe jo rrallëherë kemi dështuar”, ka theksuar Sveçla në ceremoninë e 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Ai ka thënë se shteti do të vazhdojë ta ngrisë lart punën dhe integritetin e Policisë së Kosovës sepse sipas tij vetëm kështu do të arrihen të përmbushen pritshmëritë legjitime e të drejtat e qytetarëve tanë, teksa ka thënë se sfidë mbetet shtrirja e sovranitetit dhe ligjshmërisë në veri të vendit, për shkak të funksionimit të bandave kriminale të mbështetura nga Serbia.

“Me punë, vendosmëri e përkushtim Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë në krye të listës së institucioneve më të besueshme për qytetarët tanë, por edhe policia më kredibile në rajon. Një ndër sfidat kryesore të Policisë së Kosovës që nga themelimi është shtrirja e sovranitetit e ligjshmërisë në çdo cep të Kosovës, e në veçanti në veri të saj. Muajve të fundit jemi ballafaquar me tentativa të vazhdueshme të strukturave kriminale të udhëhequra drejtpërdrejt e të mbështetura nga Serbia, për ta destabilizuar jo vetëm veriun e Kosovës. Zotimi ynë për ndryshim tashmë vërehet qartë, e sidomos në pjesën veriore të vendit. Për çdo ditë e më shumë rendi e ligji po përforcohet atje e veprimtaria e institucioneve në shërbim të qytetarëve po zgjerohet. Stabilitetin në vendin tonë do ta sigurojmë duke respektuar ligjet dhe praktika më të mira, ashtu siç na obligon edhe Kushtetuta e vendit tonë“, ka nënvizuar Sveçla.

Ministri i Punëve të Breshme ka thënë me vendosmëri se do të vazhdojë angazhimi institucional për stabilitet ku sundon rendi dhe ligji e jo status-quo kriminale, nga ku kriminelët përfitojnë përmes kontrabandës e dukurive tjera kriminale, e ku në ndërkohë u shërbejnë edhe armiqëve të vendit.    

Policia e Kosovës është themeluar më 6 shtator të vitit 1999. Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE) në pajtim me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, ka hapur shkollën policore e cila nisi trajnimin e kandidatëve të parë për t’u bërë policë të Kosovës.


MË SHUME NGA Në Fokus