Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut, akti i parë në krijimin e rendit kushtetues
Foto: RTKLive
Në Fokus

Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut, akti i parë në krijimin e rendit kushtetues

RTKlive

(E plotësuar} Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, me rastin e 32 vjetorit e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut deklaroi se, ky hap shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.

Ajo në një postim në Facebok, ka shkruar se 32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.

“Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura  të Kosovës së pavarur”, ka shkruar Osmani.

Njëherit ka shtuar ajo, “sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre”.

Presidentja Osmani thotë se duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik!

Sot bëhen 32 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut

N.Mekolli /RTKlive

Sot bëhen 32 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut, e cila vlerësohet si pikënisje për rezistencë të popullit të Kosovës.

Kjo Kushtetutë ka fuqizuar ligjërisht Deklaratën e Pavarësisë së 2 korrikut, raporton RTKlive

Shpallja e Kushtetutës së Kosovës është bërë në Kaçanik më 7 shtator 1990, në një organizim të fshehtë, pasi vendi ishte i mbushur nga forcat policore dhe ushtarake të pushtuesit, të cilit kishin nisur një spastrim të hapur të institucioneve të Kosovës, duke i larguar punëtorët shqiptar dhe futjen e masave të dhunshme.

Po ashtu, deputetët që kishin shpallur Deklaratën e 2 Korrikut ishin shpall persona në kërkim. 7 Shtatori cilësohet si identitet i historisë së re të Kosovës dhe njëra nga datat e çmuara të Kosovës.


MË SHUME NGA Në Fokus