Bizneset private kërkojnë nga qeveria të mos i kushtëzojë me pakon e re
BKT
Lajme

Bizneset private kërkojnë nga qeveria të mos i kushtëzojë me pakon e re

N. Mekolli /RTKlive.com

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kanë kërkuar nga Qeveria që pakoja për luftimin e inflacionit te bizneset private të mos bëhet me kushtëzime. Skënder Krasniqi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Jusuf Azemi, kryetar i sindikatës së pavarur të sektorit privat kanë thënë se gjendja e sektorit privat nuk është e mirë dhe se Qeveria duhet të ndërhyjë me urgjencë.

Skënder Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në emisionin AKTUAL, në RTK, tha se e përkrahin pakon e re fiskale, por presin më shumë përkrahje, në mënyrë që kjo krizë të kalohet sa me lehtë.

“Kriza globale, pandemia, lufta në Ukrainë, e cila ka çrregulluar komplet tregun botëror, po ashtu e ka çrregullua edhe tregun vendor. Lidhur më këtë, ne i kemi dërguar kërkesat Qeverisë se si të reagojë, në situata të caktuara e jo të reagohet me vonesë, sepse ashtu e dëmtojnë biznesin”, tha Krasniqi.

Sipas tij, ajo që i pengon është vendimi i Qeverisë që pakoja për luftimin e inflacionit i kushtëzon bizneset private, të cilat edhe ashtu janë të goditura nga ndërprerjet e çrregullta të energjisë. Njëherit, Krasniqi i ka kërkuar që Qeveria që mos të kushtëzojë bizneset, që ato të ndihmojnë punëtorët e sektorit privat me nga 50 euro, po aq sa do ti ndihmonte shteti.

Edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit të Pavarur,  në emisionin AKTUAL, në RTK, tha se menjëherë pas vendimit të Qeverisë për pakon e re për luftimin e inflacionit te bizneset private, ka kërkuar nga kryeministri dhe ministri që të heqin kushtëzimet për sektorin privat nga kjo pako.

“Nëse Qeveria nuk e heq këtë kushtëzim, atëherë ftoj Qeverinë që ato mjete t'i marrë prapa, e t'i investojë diku tjetër. Punëtorët e kompanive po e paguajnë punëtorin në maksimum, pronari i kompanisë nuk mund të falimentojë për shkak të kushtëzimit të Qeverisë. Nëse punëtorëve të shërbimeve publike u jepen ndihmat pa kushtëzime, e kjo është mirë, pse ta kushtëzojë sektorin privat”, tha, pos tjerash, Azemi.

 


MË SHUME NGA Lajme