LDK: Qeveria të adresojë problemet energjetike, të arsimit dhe inflacionin
BKT
Lajme

LDK: Qeveria të adresojë problemet energjetike, të arsimit dhe inflacionin

V.Thaçi/RTKlive

(E plotësuar 20:00)Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur dy mbledhje të ndara, atë të Kryesisë qendrore dhe me kryetarët e degëve.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua për zhvillimet politike dhe gjendja e rëndë që ka kapluar vendin tonë për shkak të rritjes enorme të çmimeve, si dhe për krizën energjetike. Po ashtu, Kryesia diskutoi edhe për gjendjen në sektorin e arsimit dhe atë publik, thuhet në komunikatën për media.

Lidhja Demokratike edhe njëherë bën thirrje që Qeveria të adresojë sa më parë problemet me krizën energjetike në vend; të nis dialogun me mësimdhënësit tanë në mënyrë që greva të ndërpritet dhe fëmijët të kthehen në proces të rregullt mësimor; si dhe të marrë masat e domosdoshme dhe të prezantuara tashmë për inflacionin dhe papërballueshmërinë qytetare.

Kryetari Abdixhiku, në koordinim me Kryesinë dhe me kryetarët e degëve, ka shpallur valën e re të takimeve me qytetarët tanë në të gjithë vendin.

Abdixhiku ju ka bërë thirrje të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëpër çdo degë e në të gjithë vendin, për mobilizim të gjithëmbarshëm në këtë drejtim.

Abdixhiku: I përkrahim grevat

Ahmet Maholli/RTK

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes se kryesisë së kësaj partie ka deklaruar se në këtë takim është diskutuar për situatën në vend dhe për grevat.

Abdixhiku tha se i përkrahin grevat duke shtuar se për këtë do të diskutojë edhe me strukturat e partisë.

Ndërsa sa ipërket kalimit të deputetes së listës guxo, Doarsa Kica Xhelili, ai nuk e konfirmoi, as për të dhe as për deputetet e tjerë, por ka shtuar se LDK është e hapur për të gjithë dhe se për çdo gjë do te informojnë me kohë

Gashi i LDK-së: Deputetët po kthehen, LDK-ja po rritet

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Ka nisur mbledhja e Kryesisë së LDK-së. Në këtë takim janë parë të hyjnë anëtarët e Kryesisë e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e  Kosovës, Arben Gashi nuk ka dhënë shumë detaje për takimin, por ka thënë se në LDK po kthehen deputetët.

“ LDK-ja po rritet, po forcohet dhe ky është lajm i mirë  për Kosovën, dhe se çdo qytetar i Kosovës po kthehet në LDK, ashtu siç edhe po kthehen deputetët”, ka thënë ai para nisjes së takimit me Kryesinë e partisë në ora 16:00.

Sot mblidhet Kryesia e LDK-së, pritet zyrtarizimi i Doarsa Kica Xhelilit?

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të bëhet me 16 deputet të Kuvendit, një më shumë se që kishte në sesionin pranveror.

Doarsa Kica Xhelili që deri tash ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, pritet të ulet në rendin e LDK-së opozitare, duke lënë partinë në pushtet me 58 numra në grupin e saj parlamentar.

Ndonëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht as nga vetë deputetja e as nga LDK-ja, burime brenda kësaj partie i kanë thënë RTKlive se Kica-Xhelili i është bashkuar LDK-së dhe kjo pritet të konfirmohet brenda pak kohësh.

Sipas të njëjtave burime, kjo çështje që po diskutohet kohët e fundit në media në fakt kishte nisur të flitej qysh prej muajsh në Kuvend.

Vetë lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku para pak ditësh e kishte cilësuar nder ta kishte Kica-Xhelilin në LDK si një nga deputetet më aktive siç e kishte cilësuar ai në një nga intervistat e tij mediale.

RTKlive gjatë ditës ka provuar të vendosë kontakt me deputeten Doarsa Kica -Xhelili për të marr një qëndrim të saj lidhur me këtë çështje, por kjo ishte e pamundur.

Ndërkohë, RTKlive merr vesh se Kryesia e LDK-së në krye me liderin, Lumir Abdixhiku pritet të mblidhet nga ora 16:00. Në këtë takim, pritet që kryesia të njoftohet dhe me këtë lëvizje të deputetes e cila do të kalojë nga LVV-Guxo në LDK.

Doarsa Kica Xhelili u zgjodh deputete e Kuvendit në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme parlamentare.

Në garë hyri në listën e Vetëvendosjes, por si emër i propozuar atë kohë nga Lista Guxo e themeluar nga Vjosa Osmani, por që u tërhoq nga politika kur mori postin e presidentes së shtetit.

E me presidenten Osmani dhe ministren e Jashtme Gërvalla, ministri i Bujqësisë, Faton Peci që këtë post e mori si pjesë e Listës Guxo, ka shpërndarë një fotografi me këtë mbishkrim: “Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”.

Ndërkohë sot në ora 17 00 Subjekti i ri politik “Guxo” do të mbajë Kuvendin e Parë zgjedhor dhe konstituiv.


MË SHUME NGA Lajme