Xhaçka: Negociatat, fillimi i procesit shumë kërkues të angazhimeve
BKT
Shqipëri

Xhaçka: Negociatat, fillimi i procesit shumë kërkues të angazhimeve

ATSH

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se Holanda është një nga mbështetësit e rëndësishëm të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në MEPJ me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, Wopke Hoekstra, Xhaçka u shpreh se, në takim u diskutua për reformat që po ndërmerr Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit evropian.

“Hapja e negociatave është fillimi i një procesi shumë kërkues angazhimesh të mëtejshme që do të na afrojnë me BE”, theksoi Xhaçka, e cila shtoi se, “Holanda është një nga mbështetësit e rëndësishëm të procesit të integrimit”.

Xhaçka i shprehu mirënjohje Holandës për asistencën për trajnimet në kuadër të programit MATRA.

“Vlerësuam bashkëpunimin e frytshëm që është arritur mes autoriteteve tona policore dhe gjyqësore. Bashkëpunimi ynë ka filluar të prekë edhe fusha që dikur do të kishte qenë e vështirë të mendoheshin” tha ministrja Xhaçka, e cila përmendi nismën shqiptaro–holandeze të dakordësuar nga kryeministrat Rama dhe Rutte

“Kjo nismë synon që të elaborojë idenë e Presidentit Makron për një Komunitet Politik Evropian në një plan konkret. Nisma vendos një marrëdhënie konkrete bashkëpunimi, për hartimin e këtij dokumenti që do të paraqitet në Samitin e Pragës për BP”, tha Xhaçka.

Xhaçka u shpreh se, Shqipëria dhe Holanda janë rreshtuar së bashku në “Grupin e Miqve për Llogaridhënien në Ukrainë”.

Xhaçka pranoi se, në planin bilateral mbetet ende shumë punë për të bërë.

“Dy vendet duhet të punojnë së bashku për të shfrytëzuar sa më mirë potencialin e jashtëzakonshëm për bashkëpunim”, theksoi Xhaçka.


MË SHUME NGA Shqipëri