Ngrirja e marrëdhënieve diplomatike, reagon Irani
RTSH
“Veprim i pamenduar”, kështu e ka konsideruar Ministria e Jashtme e Iranit vendimin e qeverisë shqiptare për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, pas sulmeve kibernetike në vendin tonë.
Në një reagim për mediat vendase, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Ka'nani, hodhi poshtë pretendimet se vendi orkestroi sulmin kibernetik ndaj sistemeve online të vendit tonë, teksa tha se ato ishin “pretendime të pabaza".
“Si një nga vendet që ka qenë objektiv i sulmeve kibernetike në infrastrukturën e saj kritike, Republika Islamike e Iranit kundërshton dhe dënon çdo përdorim të hapësirës kibernetike si mjet për të sulmuar infrastrukturën e vendeve të tjera”, tha zëdhënësi iranian.
Ai shtoi se vendet e treta që mbështesin terrorizmin kanë luajtur një rol kyç në vendimin e gabuar të Shqipërisë, duke iu referuar Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shqipëria ngriu këtë të mërkurë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, të cilin e akuzon se fshihet pas sulmit kibernetike që përfshiu shërbimet publike online në vend. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se qeveria i ka kërkuar ambasadës së Iranit largimin brenda 24 orëve nga Shqipëria. Kreu i qeverisë shqiptare tha se Irani kishte angazhuar 4 grupe për sulmin ndaj Shqipërisë, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar.























