Mehaj: Kosova aleate e ShBA-së në grupin për Mbrojtjen e Ukrainës
Emine Hoti/ RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, bashkë me ministra e shefa të mbrojtjes të mbi 50 shteteve aleate të SHBA-së, nën organizimin dhe udhëheqjen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III, ka marrë pjesë në takimin e pestë të radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në bazën ajrore amerikane Ramstein të Gjermanisë përveç miratimit të vendimit të Presidentit Biden për transferimin e kapaciteteve ushtarake amerikane në vlerë prej 675 milionë dollarësh në Ukrainë, theksi i takimit ishte në ndihmën afatgjate për Ukrainën, teksa përballet me pushtimin rus.

Tutje në njoftim thuhet se, Mehaj theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur dhe e përkushtuar maksimalisht, përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, në mbrojtje të vlerave euroatlantike si: paqja, liria dhe demokracia, për Ukrainën dhe gjithë vendet dhe popujt liridashës dhe paqedashës në Botë.
























