Spanjë-Portugali, finalja e 19-vjeçarëve
RTSH
Spanjë – Portugali. Kjo është finalja e Kampionatit të 2-të Evropian të Futbollit të Sallës për moshën deri në 19 vjeç, që është duke u zhvilluar në “Olivo Arena” të Haen.
Një finale, e cila do të zhvillohet të shtunën në ora 19:00, atje ku Portugalia ka misionin e rëndësishëm për të shkurorëzuar kampionen në fuqi, Spanjën.
Iberikëve u është dashur shumë punë në gjysmëfinale me Poloninë, atje ku pas kohës shtesë, 2x5 minuta, fituan 5-2. Në fundin e pjesës së parë, Sedlevski kalon në avantazh polakët me penallti. E brenda 14 sekondave, Spanja përmbys. Gjithçka ndodh në të 24’, atje ku fillimisht barazon Aleks Garsia e më pas spanjollët kalojnë në avantazh me anë të kapitenit Adrian Rivera. Por polakët nuk dorëzohen, ndërsa ndërhyrjet e portierit Lah mbajnë në lojë skuadrën, aq sa në të 27’ barazon Turkovid.
Në kohën shtesë Nikolas firmos dygolëshin e tij në të 43’ dhe në të 48’, kurse Karrasko ka realizuar golin në të 46’ dhe përfundimisht 5-2. Më e lehtë gjysmëfinalja e Portugalisë ndaj Ukrainës, fituar nga luzitanët, 4-1. Diogo Santos ka hapur serinë e golave në të 3’. Më pas shënon nga porta në portë Tiago Velho në të 15’. Simao në të 22’ dhe Kutshi në të 31’ thellojnë në 4-0. Dhe goli i ukrainasve me Skibshik ka vlejtur për statistikë.
Kështu një finale fqinjësh mes Spanjës e Portugalisë për trofeun kontinental të moshës deri në 19 vjeç në futboll salle, që ekskluzivisht do të vijë në RTSH Sport të shtunën në mbrëmje.























