Krasniqi në Maqedoninë e Veriut, vlerëson rolin e faktorit politik shqiptar
BKT
Foto: Memli Krasniqi/Facebook
Lajme

Krasniqi në Maqedoninë e Veriut, vlerëson rolin e faktorit politik shqiptar

N.Mekolli /RTKlive

(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, takon krerët e shtetit dhe liderin e BDI-së, vlerëson rolin vendimtar të faktorit politik shqiptar në proceset politike.

“Kryetari Krasniqi i shoqëruar nga nënkryetarja Vlora Çitaku, kryetari i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, Sekretari i Përgjithshëm, Bajrush Xhemaili dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Bernard Nikaj, ka zhvilluar sot vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku është pritur nga krerët e shtetit fqinj”, njofton zyra për informim e PDK-së.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite zyrtare, kryetari Krasniqi ka zhvilluar takim me kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Ata kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, si dhe koordinimin e politikave rajonale e integruese drejt BE-së.

 “Bashkë diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy Kuvendeve tona dhe koordinimin e politikave rajonale e integruese drejtë BE-së. Maqedonia e Veriut në përgjithësi, e shqiptarët në veçanti, janë me fat që si lider të institucionit më të lartë legjislativ e kanë Talat Xhaferin”, theksoi Krasniqi.

Pas takimit me Xhaferin, lideri i PDK-së ka takuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, të cilit i ka uruar 31 vjetorin e Pavarësisë dhe e ka falënderuar për ndihmën e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka dhënë për Republikën e Kosovës.

 “Gjatë takimit ritheksova se hapja e negociatave për Maqedonisë e Veriut është lajm i mirë edhe për Kosovën, me shpresën që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë të avancoj sa më shpejtë edhe me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë - e drejtë kjo, e mohuar vite me radhë ... Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë kultivimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërfqinjësor dhe mirëbesimit të ndërsjellë, në rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik”, tha Krasniqi.

Kryetari Krasniqi ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, të cilin e ka uruar për rolin vendimtar të faktorit politik shqiptar në procesin e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

 “Rikthimi i vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor, hapat konkret të saj, janë lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe Kosovën e cila pret shpejtë liberalizimin e vizave, si një e drejtë e merituar tash e disa vjet”, u shpreh lideri i PDK-së.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Në fund të vizitës së tij zyrtare, kryetari Memli Krasniqi ka zhvilluar takim me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Krasniqi tha se gjatë këtij takimi u diskutua për tema që lidhen me stabilitetin, paqen e ardhmërinë e rajonit, për projekte infrastrukturore e ekonomike, të cilat do të jenë në dobi qytetarëve të të dyja shteteve, si dhe për krizën energjetike.

 “Shpreha qëndrimet e PDK-së për të gjitha këto çështje, për nevojën e fuqizimit dhe  dinamizimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për nevojën për të pasur një shtytje përpara edhe të të gjitha proceseve të bashkëpunimit rajonal, të bazuara në barazi dhe në një ndjenjë të interesave të përbashkëta, qofshin ato kombëtare për secilin, apo ekonomike dhe të tjerë”, tha pos tjerash ai, thuhet tutje në këtë njoftim.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka falënderuar kryetarin Krasniqi për vizitën dhe i ka uruar punë të mbarë në dhënien e kontributit të tij dhe të Partisë Demokratike të Kosovës në procese të rëndësishme, duke thënë se përvoja e tij dhe PDK-së është një aset për Republikën e Kosovës.

 “Përvoja e z. Krasniqi dhe e partisë që drejton ai është gogja e madhe, është një aset për Republikën e Kosovës në fushëveprimtarinë e 20 viteve të fundit, që pas çlirimit të Kosovës një nga kontribueset më të mëdha  drejt pavarësisë, por edhe drejtimit të proceseve. Gjithashtu, shpreha dhembshuri që themeluesit kryesorë të kësaj partie padrejtësisht po vuajnë në burgje, por dhe këtu shpreha bindjen time partisë së z. Krasniqi, partisë së z. Thaçi, partisë së z. Veseli, që e drejta do të triumfojë dhe do të kthehen triumfatorë në Kosovë”, theksoi Ahmeti.

Bëhet e ditur se gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e nderimit të eurodeputetit Ilhan Kyuchyuk me titullin "Doktor Honoris Causa", nga Universiteti Amerikan të Evropës – FON në Shkup.

 

Krasniqi dhe Kovaçevski flasin për proceset integruese

E.Hoti/RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është pritur sot nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Në takim  është diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike, në rajon dhe Evropë.

Krasniqi ka thënë se kryeministrit Kovaçevski i ka uruar 31 vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka thënë se po ashtu e ka falënderuar atë për ndihmën e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka dhënë për Republikën e Kosovës.

“Gjatë takimit ritheksova se hapja e negociatave për Maqedonisë e Veriut është lajm i mirë edhe për Kosovën, me shpresën që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë të avancoj sa më shpejtë edhe me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë - e drejtë kjo, e mohuar vite me radhë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndërsa, kryeministri Kovaçevski e ka njoftuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi edhe për hapat që ka marrë Maqedonia e Veriut për të përballuar krizën globale ekonomike.

“Bashkë diskutuam edhe për projektet infrastrukturore, bashkëpunimin politik dhe proceset integruese. Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë kultivimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërfqinjësor dhe mirëbesimit të ndërsjellë, në rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme