“Kurora”(The Crown), filmi që kalon përtej mureve të mbretërisë britanike
Rtklive
Foto: The Crown
Magazina

“Kurora”(The Crown), filmi që kalon përtej mureve të mbretërisë britanike

Jeton Musliu/ RTKlive

Një njëri mund të krijojë histori! Megjithatë, e sigurt është se jo të gjithë do të mendojnë njësoj për të. Jo të gjithë do ta duan apo urrejnë atë! E tillë është edhe figura e jashtëzakonshme e Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, Elizabeta II.

Gruaja e cila aksidentalisht u gjend, sipas vijës së gjakut, në fronin mbretëror më me ndikim, jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për rreth 50 shtete të Commonwealth-it, ka shkruar tashmë historinë e saj.

Kur xhaxhai i saj, Mbreti Edward VIII, në vitin 1936, për hirë të dashurisë, refuzoi të qëndrojë Mbret, sipas rregullave të monarkisë, froni i kaloi vëllait të tij, mbretit George.

Ai ishte një burrë i drejtë, por i pabindur në vete për të qenë në krye të mbretërisë. Ndër shumë arsye qe e shtynë atë të besojë në paaftësinë e tij, ishte edhe belbëzimi. Sidoqoftë, sëmundja e kancerit në mushkëri ia shpejtoi ardhjen e vdekjes e në anën tjetër edhe ngjitjen më shpejt në fron të vajzës së tij të madhe, Elizabetës.

E gjendur sa hap e mbyllë sytë në krye të një prej mbretërive më me ndikim në glob, Elizabeta II, duhej të përballej me panjohuritë e saj mbi gjeopolitikën, punët e brendshme, ekonominë e deri tek ato familjare, si telashet me motrën, e mbi të gjitha edhe dashuriçkat e bashkëshortit të saj, Princit Filip të Greqisë, ku mbretëria e babait të tij, tashmë kishte bankrotuar në të gjitha drejtimet.

Ballafaqimi i saj me kryeministrat si Churchill e Thatcher, janë një rrëfim në vetëvete. E kulmi, është sfida e saj me të birin, Princin Charles. Pavendosmëria e tij për t’i dhënë fund dashurisë ndaj Camillas, që ishte grua e martuar e me fëmijë, dhe mospërkushtimi i tij ndaj bashkëshortes Diana, shpotitjet e kësaj të fundit  me dashnorë, e inatet e mëdha të anëtarëve të familjes mbretërore  ndaj saj, për shkak të aftësisë që kishte për të fituar zemrat e publikut, do të çonin buzë greminës, jo vetëm Mbretëreshën Elizabetë II, por dhe rreputacionin e saj si sovrane dhe gjithë monarkinë.

Kështu, e gjithë jeta e Mbretëreshës Elizabeta II, deri në fillim të viteve të 90-ta, është jetësuar në serlain “The Crown” (Kurora). I realizuar në mënyrë të jashtëzakonshme, duke i vënë në pah edhe detajet më të imta, sipas kohës dhe etapave, madje edhe rolin e veçantë të mediave britanike, dhe me aktorë thuajse të përkryer, ky serial risjell në vëmendje fuqinë e një gruaje e cila nga frika dhe në përpjekje për të mos zhgënjyer popullin e saj, ndrydhë jetën e vet, e në fakt arrin ta bëj një komb që të jetë krenar me të. 

 


MË SHUME NGA Magazina