Kosova përkujton 11 shtatorin 2001|Video
Naser Mekolli /RTKlive.com
(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja e dytë, Donika Gërvalla dhe zëvendës ambasadorja e SHBA-ve, Alyson Grunder, bëjnë homazhe përkujtimore te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit 2001, në SHBA.
Presidentja Vjosa Osmani me këtë rast tha se, sot me 11 shtator, se bashku me kryeministrin , zëvendëskryeministren dhe zëvendës ambasadoren e SHBA-ve, i bashkohemi gjithë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për rreth 3 mijë jetë të humbura, në një bëtejë e ciala edhe njëhërë u tregua të jetë betejë vlerash.
“Më 11 shtator 2001 shtetasit amerikan, qytetarët e SHBA-së ishin në një ndër sulmet terroriste më të tmerrshme të historinë së njerëzimit, por atë ditë nuk u sulmua vetëm Amerika, por u atakuam të gjithë ne që besojmë në të njëjtat vlera”, tha Osmani.
Presidentja Osmani tha se, populli i Kosovës çdo ditë ka qëndruar me popullin amerikan, i ka bashkuar forcat në mbrojtje të këtyre vlerave dhe në luftim të terrorizmit.
“Do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku me miqtë dhe aleatët tanë në ShBA, ashtu siç ShBA-të kanë qëndruar pranë nesh në çdo moment dhe në çdo hap të historisë sonë”, deklaroi Osmani.
Kurti: Jetoftë përgjithmonë miqësia dhe partneriteti me SHBA-në

Pas homazheve, në një deklaratë për medie edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Ai tha se populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan, duke shtuar se shprehin solidaritet me familjet për atë ngjarje të rëndë dhe shtoi se liria dhe demokracia duhet të mbrohen përherë.
“Me 11 Shtator të vitit 2001, bota u trondit nga lajmi dhe shokua nga pamjet e sulmeve terroriste të cilat vranë 2977 qytetarë dhe në këtë mënyrë shënuan sulmin më të tmerrshëm terrorist i cili ndryshoi gjithë botën. Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmuan edhe pas 11 Shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre. 21 vjet më vonë, ne nderojmë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë dhe për familjet dhe gjithë kombin amerikan”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha se, liria dhe demokracia duhet të mbrohen përherë, sepse ato vazhdimisht janë në rrezik.
“U prehshin në paqe të gjitha viktimat dhe jetoftë përgjithmonë miqësia dhe partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti.























