Presidenti Begaj përkujton sulmet e 11 shtatorit në SHBA
rtsh.al
Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar këtë të diel sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA, duke e vënë theksin te siguria kombëtare, si një përparësi absolute. Në një postim në Twitter, Begaj ndalet te sulmet e fundit kibernetike të Iranit, teksa shton se është me rëndësi që të ndërtohen dhe zhvillohen aftësitë kombëtare duke forcuar lidhjet me partnerët për të mbrojtur sigurinë e vendit.
“Sot ne nderojmë të gjithë ata që humbën dhe dhanë jetën në sulmet terroriste vdekjeprurëse të 11 shtatorit kundër SHBA-së dhe demokracisë, të cilat ndryshuan botën përgjithmonë. Sulmet e fundit kibernetike në infrastrukturën tonë jetike na kujtojnë se siguria kombëtare është një përparësi kryesore. Ne duhet të ndërtojmë dhe zhvillojmë aftësitë tona kombëtare duke forcuar lidhjet me partnerët dhe aleatët tanë për të mbrojtur sigurinë e vendeve dhe njerëzve tanë”, shkruan Beagj.
Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ndërsa kryeministri Edi Rama bëri përgjegjës Iranin për sulmin, ku tha se është e njëjta dorë që sulmoi shërbimet publike online në muajin korrik. Si pasojë e këtij sulmi, për pak kohë u paralizua punë në aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Këtë të diel u bë e mundur rivënia në punë e sistemit TIMS në aeroportin "Nënë Tereza" e po ashtu edhe në 5 pika të tjera kufitare, Kapshticë, Kakavijë, Hani i Hotit, Muriqani dhe Morinë.
Pikërisht për shkak të kërcënimit të sigurisë së vendit nga sulmi kibernetik Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.























