Haxhiu: Kemi gjetur shkelje të procedurave për rastin "Dehari"|Video
BKT
Foto: Arlinda Sejda / RTK
Lajme

Haxhiu: Kemi gjetur shkelje të procedurave për rastin "Dehari"|Video

Blerim Halimi / RTKlive

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka zbardhur të gjeturat e raportit të Inspektoratit të kësaj ministrie për rastin “Astrit Dehari”, i cili më 5 nëntor të vitit 2016 ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Që nga marrja e detyrës nga zyrtarë të ndryshëm kemi pranuar informata të ndryshme lidhur me përfshirjen e personave përgjegjës në këtë rast. Për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, nëse zyrtarët përgjegjës kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi, kam kërkuar inspektim”, ka theksuar ministrja Haxhiu.

Ajo tutje i ka adresuar gjetjet e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë nga ky inspektim.

“Raporti që ne kemi marrë adreson shkeljet si në vijim: Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni tjetër e që përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionit përkratës për mbrojtjen e të dhënave”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës janë marrë para se ato të merren nga policia.

“Pra është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD-së kanë marrë incizimet nga kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes. Sipas legjislacionit në fuqi në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia. Në anën tjetër zyrtarët e institucionit mund të kenë qasje në incizime, por assesi nuk mund t’i marrin ato përmes USB-së dhe assesi para policisë”, ka shtuar Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se sipas raportit të Inspektoratit, kryeinspektori Ylber Topalli, në vitin 2016 lidhur me rastin në fjalë ka nxjerrë dy raporte kontradiktore, njëra më datë 14 nëntor dhe tjetra më 21 nëntor.

“Arsyeja pse Inspektorati e ka vlerësuar këtë si problem është sepse në raportin e parë të kryeinspektorit thuhet se po bëhet inspektim i jashtëzakonshëm, duke e cilësuar rastin si vetëvrasje, duke tejkaluar kështu kompetencat ligjore, sepse kryeinspektori dhe inspektorati i MD-së nuk ka të drejtë të cilësojë nëse është vrasje apo vetëvrasje, por ai merret vetëm me rrethanat e rastit. Pra, ne vlerësojmë sipas inspektoratit që i njëjti i ka tejkaluar kompetencat ligjore si kryeinspektor. Ndërsa në raportin e datës 21 nëntor, thuhet që po bëhet inspektim me rastin e vdekjes. Pra, janë dy raporte kontradiktore”, ka nënvizuar Haxhiu.

Ministrja ka bërë të ditur se këto dy raporte janë të nënshkruara nga kryeinspektori Ylber Topalli, por që njërin prej tyre ky i fundit e ka mohuar.

“Raportin e datës 14 nëntor kreyeinspektori e mohon. Ai e mohon që ekziston si i tillë, e mohon edhe nënshkrimin në raport, prandaj mendoj që tani i takon organeve të ndjekjes që të zbardhin nëse ky raport është i falsfikuar, nëse po nga kush apo në anën tjetër kryeinspektori nuk po e thotë të vërteten”, është shprehur ministrja e Drejtësisë.

Po ashtu, sipas ministres Inspektorati i MD-së ka trajtuar edhe shqiptimin e masave ndaj personave përgjegjës dhe transferet e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan në vend të suspendimit të mënjehershëm të stafit përgjegjës siç ndodh aktualisht.

“Gjithçka çfarë ndodhë në Qendrat korrektuese apo të paraburgimit hapi i parë është suspendimi i zyrtarëve pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tyre. Por, ata pas rastit në fjalë kanë vazhduar të jenë në punë deri më 21 nëntor të vitit 2016. Ne konsiderojmë se kjo ka lënë hapësirë për manipulim të provave dhe dëshmieve. Është po ashtu e çuditshme dhe e paprecedantë që dëshmitari kryesor në rastin e Astrit Deharit, Naser Makolli është transferuar me datë 9 dhjetor në Lipjan, ku paraprakisht në Qendrën e njëjtë ishin transferuar edhe oficierët në masën disiplinore të transferimit. Me fjalë të tjera në këtë qendër janë transferuar edhe zyrtarët përgjegjës e po ashtu edhe dëshmitari kryesor, Naser Makolli. Me ç' rast dëshmitari kryesor kishte ndërruar jetë po aty. A mendoni se kjo mund të jetë një rastësi?”, ka shtruar dilemën ministrja Haxhiu.

Sipas saj raporti i Inspektoratit adreson edhe deklaratat kontradiktore të zyrtarëve përgjegjës dhe konstaton veprimet kontraktidore, e të paqarta dhe lë dyshime të mëdha për manipulim të provave dhe deklaratave të akterëve të përfshirë në këtë rast.

Për këtë arsye ministrja e Drejtësisë ka thënë se do të ndërmarrë dy veprime.

“Raportin në fjalë bashkë me dokumentet përcjellëse të cilat e vërtetojnë të gjeturat në raport do ta dërgojmë tek Kryeprokurori i shtetit Besim Kelmendi. Po ashtu i njëjti raport do të dërgohet në organet përgjegjëse të cilat kanë autorizime për shqiptimin e masave ndaj akterëve të përfshirë në këtë raport”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Ministria e Drejtësisë nuk është përgjegjëse për të hetuar rastin.

“Ne vetëm kemi bërë inspektim në aspektin administrativ, për këtë është kompetente Prokuroria Speciale. Ministria e Drejtësisë do të ofrojë gjithë mbështetjen për institucionet që ky rast të zbardhet sa më parë“, ka përfunduar Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se raportin nga Inspektorati i MD-së e ka pranuar para 10 ditësh, derisa periudha hetimore është bërë brenda një muajsh.   


MË SHUME NGA Lajme