Fortunë në Itali: VAR-i ia vodhi fitoren Juventusit!
BKT
Sport

Fortunë në Itali: VAR-i ia vodhi fitoren Juventusit!

Blerim Halimi / RTKlive

Juventusi dhe Salernitana barazuan 2:2 në një ndeshje tepër dramatike, të dielën në mbrëmje, në Torino, në kuadër të xhiros së gjashtë në Serie A.

Mysafirët kryesuan 0:2 në pjesën e parë me golat e shënuar nga Antonio Candreva dhe Krzysztof Piontek, por Juventusi u rikthye në pjesën e dytë. Gleison Bremer shënoi në minutën e 51-të për 1:2, dhe më pas pasoi një përfundim i jashtëzakonshëm, ku Leonardo Bonucci barazoi në minutën e 93-të, kur pasi humbi penalltinë arriti që topin e dëbuar ta dërgojë në rrjetë.

Dy minuta më vonë, Juventusi kaloi në epërsi me golin me kokë nga Arkadiusz Milik pas një goditje nga këndi. Milik festoi golin duke hequr fanellën, për të cilën mori kartonin e dytë të verdhë nga gjyqtari Matteo Marcenaro dhe u përjashtua nga fusha.

Më pas në skenë hyri VAR-i, i cili anuloi golin, me preteks se gjatë goditjes me kokë të Milik, Leonardo Bonucci ishte aktiv në pozicion jashtë loje. Nga vija të cilën e tregoi VAR-i, Bonucci ishte në një pozicion të parregullt për disa centimetra.

Mirëpo, videoja e publikuar së fundmi tregon se gjyqtarë italianë kanë bërë gabim brutal. Ata nuk e panë fare Antonio Candrevan e Salernitanas, i cili ishte afër këndores shumë më prapa Bonuccit në vijë.

Kjo video ka bërë që në rrjetet sociale të ketë një fortunë nga lojtarët e Juventusit në rrjetet sociale. Milik e publikoi videon dhe shkroi se ka mbetur pa fjalë, teksa Juan Cuadrado vuri në dukje se mbrëmjen e kaluar ka ndodhur një turp i madh.

Ndërkaq, trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, mezi arriti të qetësohej pas ndeshjes.

“Më vjen keq vetëm sepse donim ta shihnim foton e Candrevës nga këndi ynë, nëse e mbante në lojë Bonuccin. Por, ai nuk mund të shihet në fotot që na kanë dhënë VAR-i!”, tha Allegri.