S’gabon Interi, Sporting mposht Tottenhamin pas një finish-i dramatik
BKT
Sport

S’gabon Interi, Sporting mposht Tottenhamin pas një finish-i dramatik

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Janë mbyllur dy ndeshjet e para të sontme të xhiros së dytë në Ligën e Kampionëve.

Klubi italian, Inter ka shijuar fitoren e parë këtë sezon të garave në Ligën e Kampionëve.

‘Nerazurët’ pas humbjes javën e kaluar në shtëpinë e tyre nga Bayern Munich (0-2), sonte në udhëtim mundën Viktoria Plzen, me rezultat 0-2, sfidë kjo e zhvilluar në kuadër të xhiros së dytë në Grupin C.

Skuadra e Simone Inzaghit, bëri paraqitje të mirë, duke arkëtuar trepikëshin e parë falë një golit të Edin Dzekos në minutën e 20-të dhe një gol të Dumfries në minutën e 71-të.

Pas kësaj fitore, internistët renditen në pozitën e tretë me tri pikë të tubuara, aq sa kanë Bayern Munich dhe Barcelona, skuadra këto që do ndeshen sonte në ‘Alianz Arena’, kurse, Viktoria Plzen mbetet e fundit me zero pikë.

Ndërkaq, dueli tjetër mes Sporting dhe Tottenhamit është mbyllur me fitoren e skuadrës portugeze me rezultat 2-0, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të Grupit D.

Kjo ndeshje ka prodhuar një sfidë tejet interesante, derisa nikoqirët pas një finish dramatik ia dolën që shënojnë dy gola. Fillimisht Paulinho në minutën e 90+1’, kalojë Sporting në epërsi prej 1-0, derisa Arthur dy minuta më vonë i dha goditjen e fundit skuadrës angleze, duke realizuar golin e dytë për ekipin vendës.

Pas kësaj fitore, Sporting kryeson Grupin D me gjashtë pikë të tubuara, tri më shumë se Tottenham, derisa Marseille dhe Eintracht ende nuk kanë arkëtuar asnjë pikë.