Nuhiu zbulon çelësin e fitores kundër Gjilanit
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Trajneri i FC Dritës, Ardian Nuhiu është shprehur i lumtur me fitoren dhe paraqitjen e skuadrës së tij kundër Gjilanit.
Nënkampionët në fuqi të Kosovës, mundën Gjilanin (4-1), sot në kuadër të javës së shtatë të Superligës së Kosovës në futboll.
Tekniku shkupjan pas ndeshjes tha se të përzgjedhurit e tij, dhanë gjithçka në terren për të mposhtur rivalët e qytetit, Gjilanin.
Nuhiu fitoren ia dedikoi doktorit Visar Huruglicës që vdiq një ditë më parë.
“Fitorja në derbi është ndjenjë speciale për tifozët. Fitoren në derbi ia dedikoj Visarit dhe familjarëve të tij. Përshëndes tifozët tanë që nuk kishin mundësinë të ishin në stadium. Përgëzoj futbollistët të cilët kishin gjithçka nën kontroll. Kishin topin në posedim. Kundërshtari kishte përgatitur ndeshjen të na kapte në kundërsulm, por ne ishim të përgatitur. Drita ishte më e fortë te grupi. Futbollistët lanë shpirtin në fushë për të fituar. Gjithçka lanë në fushë për ta kontrolluar ndeshjen. Por, është vetëm fillimi dhe duhet të jemi me këmbë në tokë. Duhet të përqendrohemi për ndeshjet tjera. Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Malishevës. Duhet të rikuperohemi sa më shpejtë dhe të vazhdojmë tutje”, tha Nuhiu.
Pas kësaj fitore, Drita ngritet në pozitën e parë me 14 pikë, aq sa ka edhe Gjilani që tani bie në vendin e dytë.























