Balluku: 22 milionë euro mbështetje shtresave në nevojë për energjinë
BKT
Shqipëri

Balluku: 22 milionë euro mbështetje shtresave në nevojë për energjinë

ATSH

Shqipëria renditet e parë në Ballkanin Perëndimor sa i përket shumës së vënë në dispozicion për të mbështetur shtresat në nevojë për përballimin e shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot mbështetja e qeverisë shqiptare për shtresat në nevojë llogaritet 22 milionë euro.

“Sa i përket mbështetjes së konsumatorëve në nevojë, në raportin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, thuhet se Shqipëria jep mbështetje financiare me vlerë mbi 22 milionë euro. Vendi i dytë pas Shqipërisë, është Bosnje-Hercegovina me 12 milionë euro, pas saj vjen Serbia, me mbështetje prej 9 milionë euro, ndërsa Kosova ofron 4.5 milionë euro mbështetje. Këto janë shifrat për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Balluku gjatë fjalës së saj në Kuvend, teksa po diskutohej marrëveshja për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPA III).

Balluku tha se, pavarësisht krizës, nuk do të aplikohen kufizime të energjisë.

“Kemi mbi një vit që mbrojmë qytetarët dhe bizneset e vogla duke mos prekur çmimin e energjisë elektrike, ashtu sikundër edhe rreth 7600 biznese të tensionit të mesëm”, deklaroi Balluku.


MË SHUME NGA Shqipëri