Bytyqi në `RTK Prime`: Me 50 euro lëmoshë nuk bëhet zgjidhje
BKT
Lajme

Bytyqi në `RTK Prime`: Me 50 euro lëmoshë nuk bëhet zgjidhje

Blerim Halimi / RTKlive

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, gjatë debatit në “RTK Prime” për grevën në arsim, ka thënë se kryeministri Kurti duhet të lëshojë pe dhe t’ua japë mësimëdhënësve 100 eurot e kërkuara.

“Me 50 euro lëmoshë nuk mundesh me bë zgjidhje. Realizo Ligjin e Pagave, atëherë ke bërë zgjidhje. 100 milionë euro i dhatë për rrymën në veri, pse nuk mundeni të bëni zgjidhje”, ka thënë deputetja Bytyqi, duke iu drejtuar kolegut të saj nga partia në pushtet.

“Ju i keni shkarkuar krejt bordet dhe fatkeqësia më e madhe për ju është që nuk po mundeni t’i kapni sindikatat. Rrahman Jasharajn e keni etiketuar si opozitë, por kjo s’është e vërtetë“, ka shtuar ajo.

Kushaj nga Këshilli Grevist: Po harrojnë që edhe ne i kemi fëmijët, nipat e mbesat në këto shkolla

Rashit Kushaj nga Këshilli Grevist, në një lidhje direkte në "RTK Prime" ka thënë se sindikalistët kërkesat e tyre i kanë parashtruar qysh nga janari i këtij viti.

“Ne kemi marrë veprime edhe pa i dëmtuar nxënësit. E dini protestën e 8 prillit, pastaj atë të 20 majit në Prishtinë, por edhe këto protesta, por mandej edhe angazhimi i ndërmjetësuesit për të ardhur deri te ndonjë rezultat për kërkesat tona nuk solli sukses. Po ashtu, ne grevën e kemi filluar më 25 gusht, e cila po vazhdon dhe as këtë kohë Qeveria dhe gjithë të tjerët nuk kanë ndërhyn që kërkesa jonë minimale prej 100 eurove, e cila tashmë e ka humbur vlerën e 100 eurove me këtë ngritje të çmimeve, të realizohet”, ka theksuar Kushaj.

Ai ka thënë se tani në vazhdimisi po fajësohen mësimdhënësit dhe sikur nuk po e llogarit askush që edhe 26 mijë mësimëdhënësit në grevë i kanë fëmijët, nipat e mbesat e tyre në këto shkolla.

Hoxha nga Këshilli i Prindërve: Të lihen anash përfitimet në kurriz të fëmijëve

Situata aktuale ku nuk shihet asnjë përafrim i palëve për të gjetur një marrëveshje për dhënien fund të grevës dhe rikthimin e fëmijëve në bankat shkollore më së shumti është duke i brengosur prindërit.

Nexhmi Hoxha nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka thënë në "RTK Prime" se është përkeqardhje fakti që fëmijët e Kosovës nuk e kanë filluar as këtë vit procesin mësimor në kohën e duhur.

“Është dashur që edhe parlamenti t’i ndërprejë pushimet në mënyrë që mos t’i japin pushim fëmijëve tanë. Është shqetësuese për neve si Këshill i Prindërve që as sindikata në njërën anë nuk shqetësohet që tash e 11 ditë fëmijët tanë nuk janë në shkolla, por të them të drejtën as Qeveria nuk shqetësohet fare për kohën e humbur të fëmijëve tanë. Në këtë rast edhe opozita bën lojën e saj dhe nuk del me qëndrime, por vetëm thuhet duhet të realizohen kërkesat. Nuk është vetëm faji i kësaj qeverie, por edhe i pushteteve të kaluara që e kanë lënë arsimin në këtë gjendje dhe po e shtyjnë SBASHK-un të bëjë greva”, ka theksuar Hoxha, raporton RTKlive.

Ai e ka vlerësuar të pafalshme faktin që fëmijët e Kosovës nuk e kanë filluar mësimin me 1 shtator si dhe lënien e 300 mijë fëmijëve në dorë të një sindikate, e cila sipas tij kur don e hap grevën dhe kur don e mbyll.

“Nëse ne si shoqëri, edhe qeveria edhe parlamenti, e edhe partitë opozitare nuk i lënë anash inatet personale dhe përfitimet në kurriz të fëmijëve, atëherë ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të kemi probleme të tilla”, ka nënvizuar Hoxha.

Gola i VV-së: Kërkesa prej 100 eurosh po e minon dialogun social

Në emisionin “RTK Prime” sonte po debatohet për grevën në arsim, e cila po zgjatë tash e dy javë dhe nxënësit kanë mbetur ende larg bankave shkollore.

Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është ndoshta shumë lehtë t’ia atribuosh dikujt fajin, por në fakt është problem të atribuosh fajin tek një palë. Sipas tij situata aktuale është më shumë problem i një kulture të trashëguar të dialogut social.

“Në të kaluarën vetëm dialog nuk mund të themi se kemi pasur, për shkak se në organizimet sindikale në të shumtën e rasteve kanë ardhur në shprehje kërkesat ad-hoc dhe në të njëjtën kohë përmbushja e atyre kërkesave nga pushtetet e kaluara ka qenë një përmbushje ad-hoc dhe pa plan e pa mbështetje ligjore. Tash si duket është trashëguar ajo mënyrë e kërkesave sindikale dhe normalisht se pushteti aktual si një e majtë progresiste dëshiron ta ndryshojë kursin, ta transformojë edhe kulturën e dialogut, me ç’rast kërkesat sindikale duhet të gjejnë mbështetje sa ligjore edhe racionale”, ka theksuar Gola, raporton RTKlive.

Ai tutje ka thënë se Qeveria në vazhdimësi ka dialoguar me sindikalistët, por e ka pranuar se pas hyrjes së mësimdhënësve në grevë intensiteti i dialogut ka rënë. Gola e ka quajtur kërkesën e sindikalistëve prej 100 eurosh jo legjitime, e cila po e minon procesin e dialogut.

“Nuk është kërkesë legjitime që të kërkosh 100 euro. Kërkesë legjitime është të thuash kemi një inflacion dhe kërkojmë nga Qeveria si kategori e caktuar buxhetore të na mbështetni. Por të thuash ja 100 euro ja greva vazhdon, mendoj se është një kërkesë sa arbitrare aq edhe absolutiste, e që e minon vetë procesin e komunikimit dhe dialogun social”, ka shtuar Gola.


MË SHUME NGA Lajme