Instituti për krime të luftës|Video
Valjete Shala/ RTK
Derisa ish-krerët e UÇK-së gjykohen në Hagë për krime lufte, Serbia vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë e as tregojë vendndodhjen e mijëra të zhdukurve. Kryeministri Albin Kurti, me të ardhur në pushtet, ka deklaruar se do të padisë Serbinë për gjenocid. Së fundmi, ministrja e Drejtësisë ka iniciuar me ligj themelimin e Institutit për krime lufte për të cilin tha për RTK-në se do të krijohet vitin e ardhshëm.
Ndërsa njëri nga anëtarët e Institutit të mëhershëm për krime lufte thotë se vendit i duhen deri në 5 vjet për dokumentimin e krimeve në mënyrë që të ngrejë padi kundër Serbisë.
Kosova pritet që shumë shpejt ta themelojë me ligj Institutin që do të merret me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një prononcim për RTK-në, tha se ky është një hap mjaft i rëndësishëm për vendin teksa ka kërkuar nga Kuvendi ta mbështesin miratimin e tij.
“Vlerësoj qe është jashtëzakonisht i rëndësishëm që ta kemi mbështetjen e tyre dhe të votohet si i tillë. Pastaj Instituti të funksionalizohet vitin e ardhshëm", tha ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu
Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, i cili ka punuar më herët në institutin për krime të luftës qe u themelua nga Qeveria Thaçi e më pastaj u shua nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, thotë së dokumentimi i krimeve të luftës do të marrw kohë para se Kosova të ushtrojë një padi ndaj Serbisë.
“Duhet se së paku në 5 vitet e ardhshme të punohet në mënyrë sistematike, në hulumtim dhe dokumentim të krimeve dhe në bazë të këtyre atëherë të ngritet një akuze, qoftë për grupe kriminale apo ndaj shtetit të Serbisë, tha Ismet Salihu, profesor i së drejtës penale.
Një padi kundër Serbisë për gjenocid e ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti në kohën kur ishte i mandatuar për të krijuar Qeverinë e Kosovës.























