Dyshohet për helmim nga ushqimi të shtatë qytetarëve në Lipjan
RTKlive.com
Shtatë qytetarë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një lokal në Lipjan. Sipas Qendrës së Mjekësisë Familjare në këtë qytet, katër nga këta persona të helmuar janë dërguar në Klinikën Infektive në QKUK të Prishtinës.
Nga Klinika Infektive nuk kanë dhënë detaje për rastin.
Por RTK, ka mësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se në Klinikën Infektive në Prishtinë janë shtruar katër persona.
Lamir Thaçi, zyrtar për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, në emisionin "Lajmet e Fundit" në RTK, tha se deri më tani kanë emrat e katër qytetarëve të dyshuar për helmim dhe po vazhdojnë me marrjen e masave të duhura lidhur me këtë rast, me kapacitetet që i kanë.
“Menjëherë pas marrjes së informatës për helmim të shtatë qytetarëve në ushqim në një lokal të Fast-Food kemi marr hapat e duhur lidhur me këtë rast. Kemi dal në vendin e ngjarjes dhe kemi mbyllur lokalin, derisa janë marrë katër mostra dhe presim rezultatet”, tha Thaçi.
Ai tha rastet me helmime në lokale kanë shënuar rënie, por se ata do të veprojnë në ndjekjen e rasteve të tilla dhe do të marrin masat e duhura, sa herë që ato paraqiten.























