Mehaj: FSK në shërbim të paqes dhe sigurisë të stabilitetit rajonal|Video
Afet Bela/ RTKlive
(E plotësuar, ora 10:20 ) Në Kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e betimit të 12 kadetëve të rinj të FSK-së.
Në ceremoninë e betimit Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha historia e popullit tonë përmban luftën tonë për liri. Ai tha se liria është kryefjala e kombit tonë, raporton RTKlive.
“Duhet të jeni të gatshëm ti shërbeni paqes”, theksoi ai.
“Së bashku do të qëndrojmë në mbështetjen e kadetëve tanë, në suksesin e tyre, në rrugëtimin e tyre dhe do të festojmë me dinjitet dhe krenari. Vendi ynë qoftë gjithmonë dashuria jonë më e madhe e jetës sonë. Ju urojmë të gjithëve sukses”, theksoi Mehaj.
Mehaj gjithashtu deklaroi se për katër vitet e ardhshme kadetët e rinj do të edukohen për t’i shërbyer me nder atdheut.
“Që nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e deri tek Komandanti Legjendar Adem Jashari, populli ynë nuk pranoi asnjëherë nënshtrimin, por qëndroi ballë lartë ndaj luftës kundër pushtuesve. Për liri jetojmë, për liri vdesim dhe pa liri nuk ekzistojmë”, theksoi ai.
Mehaj, tha se ushtria e Kosovës, do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal. “Ju do të jeni në shërbim të sigurisë dhe paqes dhe stabilitetit rajonal, krah për krah me njëri tjetrin dhe me miqtë tanë”, theksoi ai.
Nga ana e tij, zv.komandanti i QSU-së, kapiten Albian Ajvazi, njoftoi mbi historikun dhe të arriturat e QSU-së dhe synimet për të ardhmen në edukimin e kadetëve të kësaj gjenerate dhe gjeneratave që janë duke ndjekur aktualisht studimet në këtë Qendër.

LIVE|Betimi i kadetëve të rinj të FSK-së
(E plotësuar, ora 10:15 ) Në Kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, po mbahet ceremonia e betimit të kadetëve të rinj të FSK-së.
Sot betohen kadetët e rinj të FSK-së
Në Kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, sot duke filluar nga ora 10:00, do të mbahet ceremonia e betimit të kadetëve të rinj të FSK-së.
“Në këtë ceremoni do të marrë pjesë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë ndërkombëtarë”, njofton Ministria e Mbrojtjes.























