Bashkia Lezhë paralajmëron qytetarët: Mund të ketë përmbytje
Foto: RTSH
Shqipëri

Bashkia Lezhë paralajmëron qytetarët: Mund të ketë përmbytje

RTSH

Pas një vere të nxehtë e të thatë, vjeshta ka sjellë mot të paqëndrueshëm në vend, ku këtë të shtunë i gjithë territori është përfshirë nga reshje të dendura shiu e stuhi.

 Krerët e Bashkive në vend i kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm për shkak se ekziston rreziku për përmbytje.

Në një postim në Facebook, Bashkia Lezhë bën me dije se grupi i emergjencave ndodhet në gatishmëri në rast se do të krijohen problematika.

“Sipas parashikimeve te motit parashikohet që në fundjavë do ketë reshje të dendura  në territorin e Bashkisë Lezhë që mund të krijojnë probleme të ndryshme deri me rreziqe përmbytjesh dhe rrëshqitje. Ju bëjmë me dije se grupi i emergjencave pranë Bashkisë Lezhë ka siguruar te gjitha mjetet e nevojshme dhe ndodhet në gatishmëri të plotë 24h”, shkruhet në postim.

Nga ana tjetër, kreu i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi ka bërë me dije se reshjet e shiut kanë shkaktuar disa problematika, veçanërisht në njësinë administrative Bytyç. Në Facebook, ku ka publikuar edhe disa foto, Byberi shkruan se rrugët dhe kanalizimet janë të tejmbushura me ujë dhe se banesat e qytetarëve mund të rrezikohen nga shembja e dherave.

“Ndodhem së bashku me stafin tim prej mesnate në Njësinë Administrative Bytyç ku po monitorojmë situatën. Jo vetëm rrugët, kanalizimet, janë të tejmbushura, por nga gërryerjet dhe shembjet e mëdha janë në rrezik banesat e qytetarëve. Apeloj në mënyre urgjente jo vetëm pranë institucioneve përgjegjëse shtetërore, por dhe tek secili banor i Tropojës për kujdes te shtuar dhe solidaritet. Kujdesi më i madh duhet të jete tek rezervuarët e tejmbushur. Ne jemi e do të jemi pranë qytetarëve kudo ku janë në vështirësi me mjetet dhe burimet tona njerëzore që të përballojmë këtë situatë të rëndë e të papritur”, shkruan ai.

Ndërkohë si pasojë e motit të keq është dëmtuar edhe rrjeti i tensionit të mesëm në Fierzë.

“Rrjeti tensioni  mesëm Fierzë. Moti i keq, me reshje dëmtoi linjën, brigadat e OSSH Kukës dhe Tropojë në terren për riparimin e avarisë”, njofton OSHEE.

Nga ana tjetër, Autoriteti Portual i Vlorës ka njoftuar se ka ndaluar lundrimin për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit në gjirin e Vlorës.

Meteorologët kanë bërë me dije se moti me reshje të dendura shiu do të vijojë përgjatë gjithë ditës së sotme, ndërsa një përmirësim i lehtë pritet ditën e nesërme.


MË SHUME NGA Shqipëri