Sulmet kibernetike në Ballkanin Perëndimor, projekte `Qytetet inteligjente`
Shqipëri

Sulmet kibernetike në Ballkanin Perëndimor, projekte `Qytetet inteligjente`

VOA

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri po organizon për herë të parë në Ballkanin Perëndimor konferencën rajonale “Qytetet Inteligjente”, si një nxitje për të shtuar në qytetet e rajonit investimet në teknologjitë e sigurta inteligjente dhe për të modernizuar shërbimet publike.

Konferenca mbahet, ndërkohë që Shqipëria sapo kaloi disa sulme kibernetike, që nxorën në pah nevojën për të rritur shkallën e sigurisë në këtë fushë.

Klima e biznesit në Shqipëri paraqet një seri vështirësish, siç pohojnë përfaqësues të këtij komuniteti.

Bashkitë e Shqipërisë dhe të rajonit mund të përmirësojnë ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve përmes investimeve në teknologji të sigurta dhe mund të çojnë përpara zhvillimin urban përmes investimeve të gjelbra në rajon.

Ky është synimi kryesor i konferencës së parë rajonale “Qytetet inteligjente”, që po organizon Dhoma Amerikane e Shqipërisë, së bashku me ambasadën amerikane, ku pritet të marrin pjesë 20 bashki nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Dhomës Amerikane në Shqipëri, Enio Jaço, thotë se siç u pa edhe gjatë sulmeve kibernetike, që erdhën nga Irani, siguria kibernetike është një temë kryesore e kohëve të sotme, sepse ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe shërbimet bazë ndaj qytetarëve, ndaj kjo temë do të ketë një vëmendje të lartë në konferencën rajonale dyditore, ku marrin pjesë kompani shumë të njohura në këtë fushë.

“Kanë ardhur të marrin pjesë emra si Amazon, Microsoft, Motorola, Parsons, Oracle e shumë kompani të tjera, që ndoshta nuk janë shumë të njohura për publikun, por janë shumë të njohura globalisht në këtë fushë” - thotë zoti Jaço.

Përfaqësues të këtyre kompanive botërore sjellin përvojat e tyre me teknologjitë inteligjente dhe sigurinë nga rreziqet kibernetike, ndërsa konferenca vjen ndërkohë që klima e biznesit në rajon dhe në Shqipëri vlerësohet e dobët dhe e brishtë.

Zoti Jaço thotë se Shqipëria ka nevojë për një paketë nxitëse për të tërhequr investimet e huaja, por po aq problem janë korrupsioni dhe prokurimet.

“Ne konsiderojmë të rëndësishme ndërtimin e një pakete të fortë, solide anti-korrupsion, e cila do t’i pengonte zyrtarët e ndryshëm të lartë por edhe të mesëm të përfshihen në akte korruptive, do ta bënte të vështirë për ata por do e bënte të kollajshme për organet ligjvënëse për identifikimin, kapjen dhe penalizimin e këtyre individëve” - thotë zoti Jaço.

Në rekomandimet e Dhomës Amerikane kërkohet edhe një reformim i thellë i prokurimeve publike, të cilat, sipas saj, kanë shumë hapësira për abuzime.

Po ashtu autoritetet duhet të përshpejtojnë nxjerrjen e lejeve për investime dhe ndërtime, thuhet në rekomandimet e Dhomës Amerikane, sepse Shqipëria ka numrin më të madh të kërkesave në rajon dhe kohëzgjatjen më të madhe për miratimin e tyre.

“Dhoma Amerikane nuk është e kënaqur me rezultatet e deritanishme. Rekomandimet tona tashmë janë të vjetra, kemi më shumë se dy vjet që i kemi dërguar qeverisë këto rekomandime dhe i kemi bërë publike. dua të them hapur se progresi nuk është aty ku duhet të jetë. Dhoma Amerikane do të jetë gjithmonë konstruktive” - thotë zoti Jaço.

Konferenca “Smart Cities” do të shqyrtojë mundësitë e bashkive të rajonit për investime inteligjente, duke i siguruar gjetur ato përmes pavarësisë financiare për të modernizuar shërbimet publike, për të sjellë zhvillim ekonomik, vendeve të reja pune.

Kjo është arsyeja pse marrin pjesë institucione të rëndësishme financiare, si EXIM Bank dhe USTDA, Bashkimi Europian, Banka Europiane per Investime, EBRD (BERZH), të cilat mund të mbështetin me financime këto projekte.


MË SHUME NGA Shqipëri