Rama:Mbi 1 milion konsumatorë, të mbrojtur nga rritja e çmimit të energjisë
Shqipëri

Rama:Mbi 1 milion konsumatorë, të mbrojtur nga rritja e çmimit të energjisë

ATSH

Mbi 1 milion konsumatorë familjarë të energjisë elektrike konsumojnë deri në 800 kwh, ata janë dhe do të jenë të mbrojtur nga rritja e çmimit të energjisë.

Në një komunikim online me qytetarët ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama tha se “janë 1 milion e 90 mijë familje që konsumojnë deri në 800 kwh dhe 40 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kwh”.

“Në periudhën e pikut kur është shumë nxehtë, ose kur është shumë ftohtë, ky 40 mijë shkon në afro 60 mijë, 58 mijë e diçka. Tani vendoseni në shkallë 60 mijë me 1 milionë e 90 mijë. Dhe del besoj rezultati”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kjo është shumë e thjeshtë për njerëzit, nuk ka nevojë që të mbeten peng i atyre që dëgjojnë. Të marrin faturën e tyre të energjisë e ka secili në shtëpinë e vetë, ta shikojnë sa konsumojnë”.

Qeveria shqiptare do të mbrojë abonentët familjarë duke mbajtur të pandryshuar çmimin prej 9.5 lekë për kWh deri në fashën 800 kWh.

Në planin e masave të prezantuara në 8 shtator 2022, qeveria parashikon mbajtjen të pandryshuar të çmimit të energjisë për familjarët deri në fashën 800 kWh si dhe ngritjen e një taskforce për evidentimin e vjedhjes së energjisë.


MË SHUME NGA Shqipëri