23 vjet RTK
Rtklive
Në Fokus

23 vjet RTK

RTK

(E plotësuar)Radio Televizioni i Kosovës (RTK) sot shënon 23 vjetorin e themelimit. RTK-ja është një nga institucionet më të rëndësishme, jo vetëm në aspektin medial, por edhe në aspektin e integrimit të komuniteteve brenda vetes.

Gjatë këtij rrugëtimi RTK filloi me dy orë program: në analog e tokësor, për të vazhduar me 4 kanale: në kanalin e parë, që transmetohej në satelit; kanalin e dytë që u dedikohej pakicave; kanalin e tretë me informacione dhe lajme dhe kanalin e katër me programin e dokumentareve dhe emisioneve edukativo-arsimore.

Televizioni Publik ka përmbushur misionin e tij në shërbim të publikut, duke i përfshirë të gjitha kategoritë.

Në kuadër të RTK-së funksionojnë dy radio: Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2. Ndonëse janë në të njëjtin medium Televizioni dhe Radio funksionojnë në mjedise të ndara, kjo për shkak të mungesës të pronës.

Flora Durmishi, folëse e parë në ish-Radio Blu Sky, pastaj në Radio Kosova 2, shpalosi ndjenjat e të qenit moderatore në fillet e para në radio.

“23 vjet më parë ka pasur program  të shkurtë me dy orë, vetëm lajme, pjesa tjetër muzikë, pastaj pas një muaji isha e vetme që mbaja 4 emisione dhe vetëm muzikë pjesa tjetër. Dhe dua t’ju zbuloj një fakt që ka qenë një emision për gruan, hapësirë e vetme për gruan në atë kohë, si dhe ishte hera e parë që ka pasur hapësirë që gruaja të debatojë në një emision të tillë. Ishte radioja që i dha hapësirë që edhe gruaja të debatojë për çështje të mëdha dhe jo vetëm burrat”, u shpreh ajo.

Më tej ajo tregoi për strukturën programore të radios, për fëmijë, për letërsi, etj.

Gjatë rrugëtimit të RTK-së përgjatë këtyre viteve, domosdo ka pasur ballafaqime idesh ndërmjet gjeneratash, por që ka çuar në rritjen dhe zhvillimin e cilësisë programore të këtij mediumi.

Kështu, Meneta Zekaj, ud kryedaktore në RTK 3, shpalosi të kaluarën e saj si gazetare e këtij mediumi, nga departamenti i të rinjve, për të kaluar në dhomën e lajmeve, që ka qenë e përshkuar me sfida të ndryshme.

“Përpiqemi të japim lajme në kohë reale”, deklaroi Meneta Zekaj.

Ndërsa Beriana Mustafa, ud kryeredaktore në Radio Kosova, foli për punën dhe aktivitetin e Radio Kosovës.

“Radio Kosova është medium publik në kuadër të RTK-se, e cila operon në dy kanale: Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2. Veç kësaj, transmetojmë programe edhe në 4 gjuhë të komuniteteve”, deklaroi ajo.

Po në kuadër të RTK-së është edhe redaksia e programeve të komuniteteve, ku si redaktore përgjegjëse është Rabisha Muhaxhiri, e cila foli për rrugën e zhvillimit të kësaj redaksie.

“RTK ka programin për komunitete, ku janë të përfshira 7 komunitete, që është pasuri për mediumin tonë publik dhe domosdo që ka sfida, që janë të përditshme”, bëri  të ditur ajo.

“Kemi 28 magazina programore brenda një muaji dhe atë vetëm në kanalin e parë, që nuk është pak”, shtoi më tej Muhaxhiri.

Më 19 shtator, RTK-ja fillon transmetimin e një shërbimi 2-orësh televiziv analog satelitor. Në nëntor të vitit 2000, Radio Televizioni i Kosovës fillon zgjerimin e programit dhe shtohet në katër orë në ditë.

Në vitin 2002, televizioni zgjerohet në transmetim më shumë se 15-orë në ditë. Me 22 dhjetor 2003 RTK-ja starton me skemën e re programore 24 orëshe.

Radio Televizioni i Kosovës është transmetues publik profesional, përbëhet nga RTK 1, RTK 3, RTK 4, RTK 2 – kanali televiziv në gjuhën serbe, nga RTK – Radio, me dy kanale, Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova, si dhe RTKlive.

Në kuadër të RTK-së funksionojnë edhe redaksitë në gjuhë të disa komuniteteve, në skemën programore të RTK-së emitohen programe edhe në gjuhën serbe, turke, boshnjake dhe rome.

 


MË SHUME NGA Në Fokus