Mustafa: Pesë propozimet e PDK-së për dalje nga kriza ekonomike
M.Miftari/RTKlive
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, në një konferencë për medie, ka prezantuar në detaje pesë propozimet e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në përballje me krizën ekonomike.
Ndër masat që duhen ndërmarrë, sipas propozimit të kryetarit të PDK-së, janë: Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha mallrat esenciale të konsumit për një periudhë gjashtë-mujore; të lirohen nga akciza produktet e naftës për një periudhë gjashtë-mujore, gjë e cila do të ulë çmimin e naftës për 36 centë në litër; të lirohet nga TVSH-ja konsumi i energjisë elektrike për një periudhë gjashtë-mujore dhe të subvencionohen me 25% faturat e atyre që konsumojnë deri në 1200 kwh; të rriten pagat, pensionet dhe ndihmat sociale për të paktën aq sa është norma mesatare e inflacionit (rreth 15%); Të lejohet tërheqja deri në 30% e kursimeve pensionale dhe të rimbursohet gradualisht shuma e tërhequr për kontribuuesit që kanë më pak se 10,000 euro në llogaritë e Trust-it.
“Nëse i mbledhim efektet e pritura vetëm nga katër masat e para, pa e përfshirë tërheqjen e mjeteve nga Trusti, atëherë shohim se përfitimi për një familje mund të arrijë mesatarisht deri në 155.86 euro për muaj gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, që i bie mesatarisht 935.16 euro për gjashtë muaj”, tha Mustafa.
Tutje, Mustafa kritikoi qeverinë e Kosovës për mënyrën se si i është përgjigjur krizës ekonomike, duke e quajtur si joserioze dhe përjashtuese, e cila nuk përfshin të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Ai shtoi se plani pesëpikësh, i propozuar nga PDK, paraqet një kornizë më të dinjitetshme dhe më gjithëpërfshirëse të mbështetjes së qytetarëve.
“Këto masa pra paraqesin një kornizë më të dinjitetshme dhe më gjithëpërfshirëse të mbështetjes së qytetarëve, duke përfshirë edhe sektorin privat që deri më tani nuk ka gëzuar mbështetje domethënëse nga e shtetit. Me zbatimin e këtyre masave, qytetarëve do t’u ofrohej siguri për periudhën e ardhshme dhe po ashtu, përmes nxitjes së kërkesës së përgjithshme, do të ndihmohej rigjallërimi i aktivitetit ekonomik, i cili po shfaqet me tendenca të dobësimit”, tha Mustafa.























