LVV kërkesë Ramës: Anulojeni projektin “Arkitekti i kryeqytetit”
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kërkojnë që të anulohet projekti “Arkitekti i kryeqytetit” i cili kap vlerën e 12 milionëve, sepse sipas tyre përbën një abuzim të rëndë me buxhetin publik.
E sipas Asamblistëve të Vetëvendosjes pikërisht kjo çështje ka bërë që të ndërpritet mbledhja e shtatë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në mungesë kuorumi.
Pika e tretë e rendit të ditës ishte Propozim-Vendimi për Buxhetin 2023, dhe me të filluar diskutimi në këtë pikë, asamblistët e Vetëvendosjes thonë se kërkuan pauzë për konsultime shtesë, por kërkesa e tyre u refuzua.
“Si Grup i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë edhe me partitë tjera opozitare, dolëm nga salla. E meqë Kryetari nuk e pati shumicën mbledhja u ndërpre në mungesë të kuorumit. Kërkesë e jona, për të marrë pjesë në votim, ishte anulimi i projektit me vlerë 12.000.000€, Arkitekti i Kryeqytetit, dhe rishqyrtimi i tij sepse siç është përbën një abuzim të rëndë me buxhetin publik”, thuhet në njoftimin e asamblistëve të Lëvizjes në Prishtinë.
Ata thonë se pasi Kryetari Rama nuk pranoi kërkesën e tyre një tjetër propozim kishin që pika për buxhetin të largohej nga rendi i ditës e të procedohej me pika të tjera të parapara, por sipas tyre edhe pas pritjes më shumë se dy orësh, seanca nuk vazhdoi.
“Është përgjegjësi e pushtetit organizimi i seancave dhe sigurimi i kuorumit. Fatkeqësisht, po vërtetohet ajo çfarë kemi thënë tërë kohën se kjo qeverisje e partive të vjetra, në krye me Përparim Ramën, është e paaftë, pa vizion dhe e papërgjegjshme për prioritetet dhe kërkesat që kanë qytetarët e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e LVV-së në Prishtinë.
























