Ndalohet transferimi i mjekëve nga komunat në QKUK
BKT
Lajme

Ndalohet transferimi i mjekëve nga komunat në QKUK

Venera Adili / RTK

Derisa sistemi shëndetësor në Kosovë po sfidohet me largimin e mjekëve qoftë jashtë vendit, qoftë nëpër spitale private, mungesa e tyre po vërehet nëpër spitalet rajonale të vendit.

Kjo pasi shumë profesionistë shëndetësorë preferojnë që nga komunat të transferohen për të punuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mirëpo një praktikë e tillë tash e tutje do të pamundësohet. Këtë e konfirmon ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu.

Decentralizimi i shërbimeve shëndetësore do ta lehtësonte punën në QKUK. Për ta arritur këtë, përveç investimeve, kërkohet edhe riorganizim i stafit shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili konfirmon se në tetor do të hapet konkursi për specializime, thotë se ata që pranohen do të sistemohen sipas nevojës e jo dëshirës.

"Çështja më e rëndësishme që mund të bëjmë tash është që ti kthehemi obligimeve tona si qytetarë dhe si mjek, si ekspert të ndryshëm, kur kemi marr specializime për Mitrovicë dhe ke shkuar në Prishtinë ke shkuar për  tu kthyer, dhe nëse nuk kthehen vet ne do ti kthejmë ti punon për sistemin
spitalor dhe sipas nevojës do të sistemohen", tha Rifat Larifi, ministër i shëndetësisë.

Të njëjtin mendim e ka edhe Pranvera Zejnullahu, ushtruese e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së.

“Një prej vendimeve të mija është moslejimi i transfereve të specialistëve nga rajonet në Prishtinë dhe ata do të mbesin në rajon dhe është diçka që ka ndodh më herët .Tash e tutje pa u forcuar rajonet nuk do të transferohen në QKUK aty mund të pranohen me konkurse të rregullta por jo me  transfero”, Pranvera Zejnullahu, U.D. e drejtorit të ShSKUKsë.


Fokusi për të zhvilluar karrierë në kryeqytet dhe lëvizjet brenda ShSKUK-së kanë bërë që në disa spitale regjionale të mungojnë shërbime të caktuara.
Kjo ka rezultuar me ngarkesë në QKUK të qytetarëve që duhet të shpenzojnë edhe për transport kur vijnë nga vende të tjera.

 


MË SHUME NGA Lajme