Hetimet për Gërdecin, ish ministri Fatmir Mediu paraqitet në SPAK
Shqipëri

Hetimet për Gërdecin, ish ministri Fatmir Mediu paraqitet në SPAK

RTSH

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është paraqitur në SPAK ku po hetohet për çështjen e Gërdecit. Mëngjesin e 21 shtatorit, Medium ka shkuar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku do u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve.

Ish-ministri Mediu është akuzuar për shpërdorim detyre dhe nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar.

Më herët kreu i SPAK Arben Kraja, gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, deklaroi se po hetohet ish ministri i mbrojtjes në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.

“Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi. Ne po hetojmë ngjarjen. Ish- ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka pasur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet”, tha Kraja.

Ngjarja tragjike e Gërdecit ndodhi në vitin 2008, ku pas shpërthimeve në ambientet e “ish-Brigadës së Tankeve” humbën jetën 26 persona.


MË SHUME NGA Shqipëri