Mbahet në Kuvend veprimtaria `Qëndro me Ukrainën`
Shqipëri

Mbahet në Kuvend veprimtaria `Qëndro me Ukrainën`

ATSH

Në Kuvend u zhvillua sot veprimtaria “Qëndro me Ukrainën”.Kjo veprimtari u zhvillua në kuadrin e edicionit të 17-të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

Në veprimtari merrni pjesë, përveç deputetëve të Kuvendit e të ftuarve, edhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shukrov, dhe ambasadorja e Kanadasë, Elissa Golberg.

Pjesëmarrësit ndoqën me emocione të thella shfaqjen e dokumentarit “Mariupol, shpresa e pahumbur”, i cili përmbante, midis të tjerash, edhe përjetime e rrëfime të dhimbshme e prekëse të grave të Ukrainës për tragjedinë që po ndodh në Ukrainë, pas agresionit ushtarak të Rusisë.

Në fjalën e saj në këtë takim, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, pasi falënderoi Çashkun, Prof. Theodore S.Orlin, ambasadorin e Ukrainës, Volodymyr Shukrov, dhe ambasadoren e Kanadasë, Elissa Golberg, për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre për organizimin e këtij takimi dhe mundësinë për të diskutuar për luftën e drejtë të Ukrainës, nënvizoi se “lufta në Ukrainë nuk kërcënon vetëm Ukrainën, popullin dhe ekonominë e saj”.

“Kjo luftë është një kërcënim për njerëzimin. Ukraina është një alarm për të gjithë sepse prej agresionit të Rusisë janë riaktivizuar armiqtë e paqes, të cilët mund të jenë individë, grupe terroriste, qeveri, shtete apo organizata. Nuk është rastësi që paralel me luftën në Ukrainë, janë shtuar veprimet dhe sulmet terroriste, fizike apo virtuale, në rajon e më gjerë. Terrorizmi kibernetik po kërcën njerëzimin krahas formave të tjera të terrorizmit dhe luftërave pushtuese”, vijoi Nikolla.

“Unë jam krenare që Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar i pari premierën e këtij dokumentari. Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër parlamentet e para që miratoi rezolutën kundër agresionit të Rusisë dhe për mbështetjen e popullit të Ukrainës.

Presidenti Zelenski iu drejtuar në një seancë të posaçme Kuvendit të Shqipërisë. Shqipëria ishte ndër të parat që mbështeti qëndrimet e NATO-s dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Ne ishim pjesë e Konferencës së Donatorëve.

Përveç ndihmave për Ukrainën, rreth tre mijë qytetarë ukrainas janë strehuar në Shqipëri. Kryministri Rama vizitoi Kievin. Unë, në cilësinë e Kryeares së Kuvendit, iu bashkova veprimtarisë “Përqafojmë Ukrainën”, e cila u zhvillua më 21 qershor, në Amsterdam dhe ku përshëndetën personalitete të larta politike, aktivistë publikë dhe artistë të shquar nga Evropa dhe bota”, tha Nikolla.

“Jo vetëm si kryeparlamentare, por edhe si grua dhe si nënë, gjej rastin të shpreh solidaritetin me popullin, gratë dhe vajzat e Ukrainës dhe uroj që lufta të fitohet sa më shpejt, dhimbja e saj të kalojë dhe t’i mundësojë popullit të Ukrainës normalitetin e jetës dhe të gëzimeve familjare”, përfundoi ajo.

Në vijim e morën fjalën Kujtim Çashku, Prof. Theodore S.Orlin, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shukrov, dhe drejtorja Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, e cila ftoi në lidhje të drejtpërdrejtë Drejtorin  Ekzekutiv të Unionit të Helsinkit për të Drejtat e  Njeriut në Ukrainë, Olexandr Pavlichenko.


MË SHUME NGA Shqipëri