Kreu i Policisë së Shtetit takon ambasadorin italian
Shqipëri

Kreu i Policisë së Shtetit takon ambasadorin italian

RTSH

Akademia shqiptare e sigurisë do të reformohet sipas modelit të Akademisë së Sigurisë të Italisë. Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjatë një takimi prezantues me ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci. Ambasadori shoqërohej në këtë takim edhe me disa drejtues të Interforcës italiane në Shqipëri.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë falënderoi ambasadorin, për kontributin dhe mbështetjen e dhënë nga ana e tij për Policinë e Shtetit. Ai e njohu ambasadorin, me standardet që kërkon të vendosë, për të pasur një qasje të re ndaj qytetarëve, ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

“Prioritare për Policinë e Shtetit janë edhe reformimi i Akademisë së Sigurisë sipas modelit të Akademisë së Sigurisë të Italisë dhe forcimi i strukturave për hetimin e krimeve kibernetike. Drejtori i Policisë e garantoi ambasadorin se bashkëpunimi mjaft i mirë i deritanishëm do të thellohet akoma më tej, për të luftuar me më efikasitet krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme, kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.”- thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit.

Në këtë takim u diskutua edhe për shtimi i grupeve hetimore të përbashkëta, shkëmbimin e informacionit në kohë reale, duke eliminuar çdo pengesë apo burokraci, si dhe zhvillimi i operacioneve të përbashkëta me Policinë italiane, duke nënvizuar se janë mënyrat e duhura për të arritur rezultate më të mira.

“Ambasadori Fabrizio Bucci e uroi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për detyrën dhe e siguroi për mbështetjen e ambasadës dhe të Policisë italiane, për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, për të përmbushur sa më mirë misionin e përbashkët, luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, krimit kibernetik dhe terrorizmit. Bucci theksoi se tashmë është koha për të arritur rezultate më të mira nga ana e Policisë së Shtetit.”- thuhet në njoftimin për shtyp.


MË SHUME NGA Shqipëri