Rama në SHBA: I gjithë rajoni po përballet me sulme kibernetike
Shqipëri

Rama në SHBA: I gjithë rajoni po përballet me sulme kibernetike

ATSH

Në Nju-Jork vijojnë eventet në kuadër të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

 

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një prej takimeve të nivelit të lartë, me krerë të shteteve dhe qeverive, ku u diskutua ndër të tjera për aktualitetin në Ukrainë, situatën energjetike dhe sulmet kibernetike, mes të cilëve edhe sulmet e shumëfishta ndaj Shqipërisë.

“Në Harvard Club për tryezën e diskutimit mbi sfidat dhe përgjigjet shumëpalëshe për paqen, sigurinë dhe krizën energjetike”, shkroi Rama në rrjetet sociale, ku publikoi dhe foto nga ky takim.

Rama bëri një panoramë të situatës së përgjithshme ku informoi se së fundmi sistemet digjitale të qeverisë shqiptare u sulmuan nga Republika Islamike e Iranit, përfundim ky i arritur pas një ekspertize të detajuar të skuadrës “Microsoft” dhe skuadrës së agjencive të specializuara amerikane.

Për këtë arsye, shpjegoi kryeministri, u ndërprenë në mënyrë të menjëhershme marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Kryeministri tha ndër të tjera se i gjithë rajoni po përballet me sulme të kësaj natyre, përfshi këtu Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Rama ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, ndërsa sa i takon diskutimeve mbi krizën energjetike në shkallë globale, Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk varet nga gazi rus, por bazohet 100 % në energjinë e burimeve hidrike.


MË SHUME NGA Shqipëri