Kastrati: Gjykata Speciale, e padrejtë dhe politike|Video
Lajme

Kastrati: Gjykata Speciale, e padrejtë dhe politike|Video

N. Mekolli /RTKlive

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekatarina Trendafilova, për herë të dytë anulon vizitën e saj të paralajmëruar në Kosovë. E para herë u shënua më 4 korrik, para më shumë se dy muajsh, ndërsa e dyta, që do të duhej të mbahej sot, u anulua, por takimin e planifikuar Trendafilova e zhvilloi virtualisht.

Në të dyja herët për të kundërshtuar vizitën e saj ishte planifikuar protestë nga Partia Social Demokrate (PSD) e mbështetur nga Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe kjo mbase ishte arsyeja e anulimit të vizitave.

Qëndron Kastrati, nënkryetar i PSD-së, për Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, në emisionin RTK Prime tha se kjo është një gjykatë politike dhe e padrejtë, prandaj ata edhe kishin paralajmëruar protesta kundër ardhjes në Kosovë, të kryetares së kësaj gjykate, Ekatarina Trendafilova.

“Normalisht që kjo nuk mund ta pranojë se gjykata është politike se atëherë nuk do të ishte politike, por ne e dimë këtë, duke e parë mënyrën si ka ardhur deri te themelimi i kësaj gjykate. Dihet se fillimisht neve dhe Këshillit të Evropës na u tha se ka ndodhur një trafikim organesh dhe ai raport u miratua në këtë Këshill, i propozuar nga Dick Marty, pastaj ne si shtet i Kosovës jemi detyrua që ta miratojmë themelimin e një gjykate të tillë, ndaj të cilës nuk kemi mundësi të bëjmë asgjë edhe në rastin kur shkelen të drejtat e njeriut”, tha Kastrati për RTK Prime.

Ai përmendi edhe faktin se shërbimi sekret serb deshi ta vriste Dick Marty-n, për ta fajësuar këtë shoqëri, apo këdo që e ka mbështetur UÇK-në.

“Asnjë gjykatë nuk mund të quhet e drejtë, që funksionon mbi parimet për të gjykuar vetëm një etni. Nëse ka pasë krime të luftës ato nuk bënë të gjykohen mbi bazën e kombësisë , mbi njërën palë”, tha Kastrati.

Kurse, avokati Taulant Hodaj tha se është një e drejtë e Qëndronit dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që u takon me ligj të shpërfaqin mospajtimin dhe të protestojnë. Ai foli edhe lidhur me mosardhjen e kryetares Ekatarina Trendafilova në Kosovë.

“Po, ajo, siç e ka shpërfaq edhe vetë, ndoshta nuk ka ardhur për shkak të pengesave faktike. Në fakt ajo ka ardhur dy - tre herë në Kosovë dhe nuk ka pasur telashe, por  prej momentit kur janë shfaqur zërat kundërshtues dhe një protestë e vogël, ajo nuk ka ardhur dhe i ka bërë online takimet”, tha Hodaj.

Ndërsa, gazetari Lirim  Mehmetaj tha se e ka pritur që Ekatarina Trendafilova do të anulonte edhe këtë vizitë.

“Mua po më duket që strategjia e atij ekipi që përkujdeset për imazhin e Speciales është që të duket kështu në formë transparente, mirëpo të mos jetë e tillë. Sepse edhe kur realizojmë intervista, ose kur marrim përgjigje nga Gjykata Speciale janë përgjigje me gjuhë të thatë, teknike dhe burokratike, ose të pakuptueshme dhe zakonisht nuk është se tregojnë gjë. Mbase edhe njerëzit nuk e dinë, mirëpo Gjykata Speciale është vonë me secilin afat që ata vet e kanë përcaktuar. Madje janë vonë me një vit e gjysmë”, tha Mehmetaj.

Për më shumë ndiqni videon në vazhdim:

 


MË SHUME NGA Lajme