Laçi e Broja, në sulm: Në Izrael, vetëm për tri pikë
Rtklive
Sport

Laçi e Broja, në sulm: Në Izrael, vetëm për tri pikë

RTSH

Ora po afron, kuqezinjtë kanë rritur intensitetin në prag të sfidës me Izraelin, e para për muajin shtator.

Në konferencën e zakonshme për mediat kanë dalë dy futbollistët, Qazim Laçi dhe Armando Broja, duke folur për dy sfidat, fillimisht ndaj Izraelit në transfertë më 24 shtator e tre ditë më vonë ndaj Islandës në “Air Albania” më 27 shtator.

Qazim Laçi:  “Po punojmë shumë mirë dhe jemi të gjithë gati për të shkuar në Izrael e për të fituar këtë ndeshje të rëndësishme. Të marrim tri pikët pasi qëllimi ynë është vendi i parë në grup. Të gjithë lojtarët janë përgatitur 100%, nga portieri te sulmuesi nga stafi kuqezi. Të mundohemi të japim maksimumin dhe ta tregojmë në fushë që kemi vlerat dhe dëshirën për të marrë tre pikët që do të na japin shansin të vijmë në Shqipëri e të luajmë kundër Islandës e të fitojmë vendin e parë.

“I gatshëm për të luajtur nga minuta e parë? Besoj se po. Ekipi, por edhe unë kemi treguar në të gjitha ndeshjet që kemi bërë, që jemi gati. Në mesfushë ka shumë lojtarë, por të gjithë po përgatitemi shumë mirë. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të ikim e ta fitojmë.

“Ajaccio? Jam shumë i kënaqur pasi ka disa vite që ekipi po punonte shumë mirë dhe po luftonte për t’u futur në kategori të parë. ishte kënaqësi për mua që jemi pjesë e Ligue 1, pasi kam 6 vite me këtë ekip dhe ia arrita qëllimit tim. Do më ndihmojë shumë mua, por edhe tek ekipi kombëtar, pasi të gjithë lojtarët luajmë në liga të mëdha të Europës dhe kjo ngre nivelin e ekipit. Ne e kemi për detyrim që të eci kombëtarja sa më sipër.

Armando Broja: “Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme. Duhet fitore dhe tre pikë për secilën nga ndeshjet dhe trajneri është ai që bën formacionin. Në stërvitje kemi përgatitur disa skema për të fituar ndeshjen. Vetëm fitoren kemi në mendje dhe uroj që të marrim tre pikët”.

“E dimë që do të jetë ndeshje e vështirë sepse na kanë mundur në ndeshjen e parë. Por kësaj radhe na duhet fitore dhe uroj të luajmë mirë si ekip dhe të marrim fitoren”.

“Forma aktuale? Gjithmonë jam në formë. Kam bërë stërvitje çdo ditë dhe e dimë që është më e vështirë të luaj te Chelsea sesa të luaja te Southampton. Por jam stërvitur çdo ditë me lojtarë shumë të mirë dhe këtu në Shqipëri dhe jam fizikisht mire”.


MË SHUME NGA Sport