Rama: Hetim për financimet ruse në PD
Rtklive
Shqipëri

Rama: Hetim për financimet ruse në PD

ATSH

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çështja e financimeve ruse në Partinë Demokratike është shumë delikate dhe për këtë duhet të hetohet.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “PD është financuar në mënyrë ilegale me para që vijnë nga burime që nuk kanë asnjë interes për demokratizimin dhe mirëqenien e vendit tonë”.

“E vërteta është se këtë çështje ne e kemi denoncuar publikisht dhe jemi përqeshur publikisht, dhe jo nga fajtorët por nga ata që duhet ta çonin më tutje hetimin e çështjes në funksion të publikut, nga njerëzit që merren me analiza politike”, tha ai.

“Çështja në rrugën e një drejtësie të vjetër, në nivelin e prokurorisë së Tiranës ka ‘marrë ujë dhe është mbytur’, por e vërteta është aty. Ky është një proces i hapur si rezultat i denoncimit të bërë prej nesh duke u bazuar në burime informacioni të huaja, publike, jo të fshehta”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se “në procesin e hetimit nga ana e drejtësisë nuk ka pasur asnjë transparencë”.

“Çështja është publike, e denoncuar gjithçka është aty dhe faktikisht sot kjo çështje është kthyer në skenën politike jo për të bërë transparencë, pot për t’u përdorur si guri i radhës për t’u vrarë ata mes veti për arsye politike. Njerëzit që i vunë gjoksin në atë kohë Lulzim Bashës sot flasin për softuerë dhe kompjuterë të zhdukur”, shtoi Rama.

Kryeministri shtoi se i takon drejtësisë të shohë si mund ta adresojë këtë çështje. “Provat dhe çështjet janë aty. Sot është dita t’i kërkojmë ndjesë Ballës, Spiropalit dhe Braçes dhe Sorosit që nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë çështje”, tha Rama.

Sipas tij, “këtu bëhet fjalë për një financim ilegal të partive politike që vjen nga Rusia”.

“Ne nuk kemi informacion për interferenca ruse në politikën shqiptare. I vetmi informacion është ky dhe e vetmja parti politike e financuar në një rrugë që lidh Shqipërinë me Rusinë është PD. Ky financim ka qenë i ditur nga të gjithë dhe e kanë mbrojtur të gjithë nga ‘non grata’ i madh deri te Lulzimi i shkretë”, shtoi ai.

Kryeministri shtoi se “çështja e financimeve ruse është një çështje shumë delikate dhe financimi i PD-së me para ruse është një çështje e cila nuk mund të kalohet duke përqeshur PS-në, apo duke ia lënë Sorosit si zakonisht”.

“Kjo është një çështje që duhet zbardhur deri në fund nga drejtësia dhe në vend që media të merrej me teori konspiracioni duhet të hetojë, të bëjë një investigim të thellë, sepse personi i akuzuar tregoi një përrallë me persona të mbledhur në SHBA për të shpëtuar vatanin. Për këtë çështje ka emra, mbiemra, rusë, shqiptarë të përfshirë”, tha ai.

“Përjashto karafilat, gagarelët dhe horrat e mbledhur në atë parti politike që nuk kanë asnjë fe, as din e imam dhe mund të marrin para nga Rusia, ose përmes kanalesh të lidhura me Rusinë kanë marrë para ruse dhe i kanë vënë gjoksin asaj pune dhe kanë thënë është komplot i Sorosit dhe i PS-së, përjashto ata, në Shqipëri nuk ka asnjë terren për të penetruar Rusia. Në Shqipëri nuk ka asnjë popullaritet Putini, nuk ka asnjë mbështetje për rusët, dhe asnjë lloj sfondi ku rusët mund të bëjnë gjëra që i bëjnë shumë më lehtë në vende të tjera”, tha ai.


MË SHUME NGA Shqipëri