Izraeli mes mungesave dhe rinisjes përballë Shqipërisë
Sport

Izraeli mes mungesave dhe rinisjes përballë Shqipërisë

RTSH

Izraeli ndeshet të shtunën me Shqipërinë në Stadiumin “Blumfilld” të Tel Avivit, në takimin e fundit të përfaqësueses vendase në kuadër të grupit të dytë të Ligës B të Ligës së Kombeve të Evropës.

Dhe për përfaqësuesen bardhekaltër kërkojnë fitoren që do t’i konfirmonte ata në krye të renditjes së grupit dhe do t’i siguronte mundësinë për të marrë pjesë në fazën e “play-off”-eve për një vend në Evropianin e vitit 2024.

Izraeli, që është në këtë grup të nivelit të dytë të veprimtarisë së dytë të përfaqësueseve të kontinentit, së bashku me Islandën dhe Shqipërinë, teksa skuadra e 3-të, Rusia, është përjashtuar për shkak të konfliktit me Ukrainën, do të zhvillojë, përveç sfidës së të shtunës, edhe një miqësore me Maltën të martën.

Ashtu sikundër homologu i tij tek Shqipëria, Edoardo Reja, edhe trajneri i Izraelit, Alon Hazan, nuk do të ketë në dispozicion kontingjentin më të fortë të mundshëm, edhe për shkak të polemikave që ka shoqëruar lënien jashtë grupit të përfaqësueses të lojtarit të Makabit të Tel Avivit, Eran Zahavi, për shkak të këmbënguljes së tij për të mbajtur për vete të gjithë dhomën e hotelit.

Pritet të ndihet edhe largimi nga skuadra përfaqësuese e sulmuesit të Hofenhaimit, Monas Dabur, por edhe mungesa e mesfushorit të Fulham, Manor Solomon, për shkak të një dëmtimi, ndërsa edhe pjesëmarrja e përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve në “play-off”-et e Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe i ka kufizuar mundësi për zgjedhje të trajnerit të Izraelit.

Por mediat izraelit kanë theksuar se Hazani dhe drejtori teknik, Josi Benajun, kanë bërë bashkë një grup interesant lojtarësh, të tillë si kapiteni veteran, Bibras Natço, i cili luan në Serbi me Partizanin e Beogradit, mbrojtësin e Dinamos Moskës, Eli Dasa, dhe sulmuesin en Real Vajadolidit, Shon Vajsman.

Ky i fundit, i cili ka shënuar 27 gola në 71 ndeshje në kampionatin spanjoll të futbollit, do të ketë ndaj Shqipërisë shansin e parë të vërtetë që të dëshmojë se është i denjë për të zëvendësuar të mënjanuarin Zahavi dhe të tërhequrin Dabur, teksa Izraeli do të shpresojë që sulmuesi i Vajadolidit të gjejë rrugën e rrjetës në këtë përballjes të rëndësishme kontinentale të shtunën në Tel Aviv.


MË SHUME NGA Sport