Konsultime teknike me NATO-n për portin e ri të integruar në Porto Romano
Rtklive
Shqipëri

Konsultime teknike me NATO-n për portin e ri të integruar në Porto Romano

ATSH

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se janë zhvilluar konsultime teknike me Komandën Detare të NATO-s, për portin e ri të integruar të Durrësit, në Porto Romano.

Ministria informoi se ekipet e Autoritetit Portual Durrës, Forcës Detare dhe konsulentëve ndërkombëtare nga Royal Haskoning prezantuan përpara një paneli përfaqësuesish të Komandës detare të NATO-s konkluzionet pozitive të fizibilitetit teknik dhe financiar të Bazës Detare që parashikohet të ndërtohet në Porto Romano.

Sipas MIE-s, baza detare që parashikohet të ndërtohet në Porto Romano, përbën një investim që i përgjigjet nevojave të Forcës tonë Detare për të modernizuar dhe zhvilluar infrastrukturën kritike dhe në mbështetje të kërkesave dhe standardeve operacionale të Aleancës në Mesdheun Qendror.

Qeveria shqiptare i ka kërkuar NATO-s, instalimin e një baze navale të saj në portin e ri të Durrësit, në Porto Romano.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar pak kohë më parë se instalimi i një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit do të ketë vlerë të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë, por edhe për vetë NATO-n.


MË SHUME NGA Shqipëri