Latifi: Gjendja në shëndetësi nuk mund të ndryshohet brenda natës|Video
Rtklive
Lajme

Latifi: Gjendja në shëndetësi nuk mund të ndryshohet brenda natës|Video

Donika Sherifi RTK

Gjendja në shëndetësi nuk mund të ndryshohet brenda natës, tha ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës se më shumë po rri jashtë vendit sesa që po merret me problemet në shëndetësi.

Ai i bëri këto komente pas takimit me eurodeputetin Lukas Madl, të cilin e falënderoi për mbështetjen që Austria po i jep Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u është përgjigjur sot kritikave të partive opozitare për udhëtimet e shpeshta jashtë vendit dhe mos-adresim të problemeve me të cilat përballet sektori i shëndetësisë në vend.

“Këto probleme nuk janë krijuar më 16 nëntor, kanë qenë qe disa vite dhe kanë me vazhdu për disa vite. Nëse ju gazetarët, ose cilido ekspert në botë e dini një mënyrë që brenda natës ta ndryshoni sistemin shëndetësor, eja kallxom, e marr me kënaqësi. Për këtë na duhet infrastrukturë, ndërtimi  i kapaciteteve tona të cilën ne nuk duhet ta bëjmë vetëm. ne deri tani e kemi tranju njëri-tjetrin, ne tash duhet me u trajnu  prej dikujt që është vërtetë ekspert që të bëhemi pjesë e botës. ata që më kritikojnë e kanë të drejtën e vet, për qata është demokraci, me fol çka dojnë”, tha Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë foli edhe për mungesën e barnave në institucionet shëndetësore, çka sipas tij është problem shumë serioz me të cilën po merren ekipet e posaçme, derisa shtoi se Qeveria e Kosovës kurrë nuk ka dhënë më shumë para për barna. Këto komente Latifi i bëri në një konferencë që pati pas takimit me eurodeputetin Lukas Madl, të cilin e falënderoi për mbështetjen që Austria po i jep Kosovës.

 “Unë jam shumë mirënjohës për angazhimin tuaj të jashtëzakonshëm për lobimin e madh që keni bërë dhe po vazhdoni të bëni në institucionet e Bashkimit Evropian, parlamentit, në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e mjekëve tonë dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi në shtetet e BE-së”, tha Latifi.

“Kosova siç dihet është shtetit më i ri në Evropë dhe populli më i ri i Evropë është i mbyllur, ata nuk mund të lëvizin lirshëm. Mua më vjen mirë që jam përsëri në Kosovë. Isha pjesë e Samitit Digjital në Prishtinë dje me ministren e Ekonomisë dhe kjo do të thotë shumë për mua dhe më vjen mirë që Kosova tregoi që mund të jetë pjesë e samitit”, tha Lukas Mandl, eurodeputet.

Ministri Latifi përmendi edhe rastin e djeshëm të ngatërrimit të foshnjës së vdekur në QKUK, rast për të cilin tha se ka ndodhur për shkak të mungesës së komunikimit.


MË SHUME NGA Lajme