"Skaneri" kap në flagrancë tre punonjës të Spitalit të Traumës në Tiranë
Rtklive
Shqipëri

"Skaneri" kap në flagrancë tre punonjës të Spitalit të Traumës në Tiranë

rtsh.al

Pas një pune hetimore disa javore, nën drejtimin e Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua këtë të premte operacioni policor "Skaneri" ku u kapën në flagrancë dhe u bë shoqërimi në polici i tre punonjës në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Konkretisht, është arrestuar mjeku reanimator me inicialet F.M ndërsa janë shoqëruar infermierja me inicialet K.B dhe mjekja S.B. 
Nga hetimet rezultonte se këta punonjës të shëndetësisë merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndryshëm për kryerjen e skanerave. 
Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e veprimeve të tjera të kryera edhe nga personel tjetër mjekësor i përfshirë në këtë skemë korrupsioni. 
Në reagimin zyrtar Spitali Universitar i Traumës, deklaron se nisur nga ngjarja e kësaj të premte inkurajohen organet e drejtësisë për të çuar deri në fund hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, për të vënë para përgjegjësisë këdo që përfshihet në veprime të kundërligjshme, përkundrejt shërbimit që ofrohet për qytetarët. 
Në qëndrimin për ngjarjen nënvizohej se raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve, të cilët e kryejnë me përkushtim dhe korrektesë punën e tyre çdo ditë në shërbim të pacientëve. 
Drejtuesit e Spitalit Universitar të Traumës garantojnë qytetarët se në asnjë moment shërbimi nuk u ndërpre dhe nuk do të ndërpritet për këdo që ka nevojë për kujdes mjekësor.


MË SHUME NGA Shqipëri