Miftaraj: Koha që presidentja të vendos për propozimin për kryeprokuror
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Miftaraj: Koha që presidentja të vendos për propozimin për kryeprokuror

Pajtim Çuni/ Radio Kosova

Që nga prilli, Kosova është me ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit. Nga ajo kohë, presidentja Vjosa Osmani nuk ka vendosur për dekretimin ose jo, Blerim Isufaj, kandidat i propozuar për kryeprokuror të shtetit. Monitorues të këtij procesi thonë se ka ardhur koha kur presidentja do të duhej të merrte një vendim në lidhje me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Tridhjetë është numri i kompetencave që ia garanton presidentit të Kosovës, akti më i lartë juridik në vend – Kushtetuta. Në mesin e tyre është edhe emërimi dhe shkarkimi i kryeprokurorit të Shtetit, nga shefi i shtetit, me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. 

Pas përfundimit të mandatit të ish-kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, që jo rrallëherë ishte kritikuar për punën e tij, postin e të parit të kryeprokurorisë po e ushtron Besim Kelmendi.

Ndërkohë, nga 6 prilli, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn. Nga kjo datë, presidentja Vjosa Omani-Sadriu nuk ka vendosur për këtë propozim. Radio Kosova ka pyetur Zyrën e Presidentes se kur pritet që e para e vendit të merr vendim për dekretimin ose jo të Isufajt, por përkundër insistimit prej më shumë se 10 ditësh, një përgjigje për këtë ka munguar. 

Përkundër faktit se nuk ka një afat të specifikuar për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radio Kosovën se është koha që presidentja të vendos për propozimin e KPK-së. 

“Ne si IKD në vazhdimësi kemi thënë se është e rëndësishme të merret një vendim i duhur brenda një afati të arsyeshëm kohorë, nga ana e presidentes. Mendojmë se ka ardhur koha kur presidentja do të duhej të merrte një vendim në lidhje me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Megjithëkëtë, mund të thuhet se presidentja ende është brenda një afati të arsyeshëm kohorë, por, ky afat i arsyeshëm kohorë nuk mund të shkoj deri në pafundësi”, tha ai.

Radio Kosova ka pyetur edhe Këshilin Prokurorial të Kosovës, nëse ka informacione nga Presidenca se kur pritet të merret një vendim për dekretimin ose jo të z. Isufaj si dhe për arsyet e mosvendimmarjes se deritanishme, por edhe nga ky institucion nuk  kanë kthyer përgjigje.

Për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, nga ana e KPK-së kishin dhënë kritika monitorues të këtij procesi nga shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtar. Por, këto ishin mohuar nga KPK. 


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme