Nxënësit protestë para Ministrisë së Arsimit për mbylljen e shkollës
BKT
Shqipëri

Nxënësit protestë para Ministrisë së Arsimit për mbylljen e shkollës

Mbyllja e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy” disa ditë më parë me vendim të Këshillit të Ministrave ka shkaktuar zemërimin e nxënësve të kësaj shkolle, të cilët kanë dalë sot në protestë përpara Ministrisë së Arsimit duke kundërshtuar vendimin e qeverisë.

Nxënësit kanë kërkuar jo vetëm tërheqjen e vendimit dhe vijimin e mësimit në këtë shkollë, por edhe dorëheqjen e Ministres së Arsimit Evis Kushi.

“Nëse nuk jeni në gjendje të mbani këtë post, hiqni dorë. Sot unë jam një maturante dhe po rrezikoni shkollimin tim. Mos mendoni se do të dorëzohemi. Ku jeni sot zonja Evis Kushi? Dil para nesh. Boll me këto përralla që thoni në televizion. Ju bëjmë thirrje dhe jepni dorëheqje. Dilni poshtë dhe na jepni përgjigje, kaq kisha”, tha një prej nxënësve protestuese.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë për protestën e nxënësve duke mos u tërhequr nga vendimi për mbylljen e shkollës jopublike. Rama u drejtohet nxënësve duke u kërkuar të protestojnë kundër pronarëve që shkelën ligjin dhe që shitën godinën e shkollës duke e spostuan aktivitetin diku tjetër.

“Nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.

Më 23 shtator Ministrja Kushi deklaroi se arsyet e mbyllës së shkollës kanë ndodhur si pasojë e mosplotësimit të kritereve ligjore dhe fillimit të procesit mësimor 2022-2023 në ambiente të pa miratuara nga Ministria e Arsimit.


MË SHUME NGA Shqipëri