Presidentja: `Ballkani i Hapur` shkelë parimin e barazisë /Video
BKT
Foto: VOA
Lajme

Presidentja: `Ballkani i Hapur` shkelë parimin e barazisë /Video

VOA

Në përgjigjen e saj për Ballkanin e Hapur dhe nëse kjo ka çarë raportet me Shqipërinë, Osmani tha se marrëdhëniet vazhdojnë të jenë vëllazërore.

“Kosova ka pasur fatin që ta ketë gjithnjë përkrahjen e fuqishme të Shqipërisë  në çdo forum ndërkombëtar ku ne nuk kemi akoma ulëse për shkak të bllokadës ruso- serbe, kjo ka ndodhur për vite të tëra edhe para dhe pas pavarësisë dhe kjo përkrahje vazhdon. Bashkëpunimi ynë vazhdon pavarësisht dallimit që kemi për Ballkanin e Hapur. Dhe natyrisht që arsyet e mospjesëmarrjes në një nismë të tillë tashmë i kemi bërë të ditura, ato janë arsye parimore sepse kjo bie në kundërshtim  me parimin e barazisë së shteteve anëtare sepse Kosova nuk ka mundësi të anëtarësohet e barabartë me emrin e saj kushtetues me flamurin e saj me simbolet e saj shtetërore, sepse Serbia si nismëtare tashme e ka qartësuar që e do Kosovën aty siç e quan ajo provincë të saj. Natyrisht për ne kjo është e papranueshme sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, një nismë e tillë që shkelë parimin e barazisë natyrisht kjo për ne nuk mund të jetë e pranueshme”.

E pyetur nëse u takua me kryeministrin Rama gjatë qëndrimit në New York, Osmani, nuk foli për këtë, por tha se mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare dhe raportet ndër personale ndërmjet politikanëve janë komplet të parëndësishme.

“Unë kam raporte të shkëlqyera me presidentin Begaj që nga fillim i mandatit të tij ka bërë çmos që Kosovës t’i dëgjohet zëri edhe në raport me shtete që ne akoma nuk kemi marrëdhënie bilaterale. Sa herë kemi pasur nevojë për ndihmën e tij për të shtyrë nisma të caktuara përpara qofshin në nivel rajonal a më gjere, prandaj po e them që raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete janë të rëndësishme, jo raportet mes politikanëve individual. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptar pavarësisht a janë nga Kosova Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia apo Presheva, shndërrohen në apologjetik të politikave të Serbisë nuk është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj që është e drejtë të arsyetohet qasja dhe veprimet e Serbisë. Nuk mendoj aspak që është e drejtë që duhet të arsyetohet Serbia pse nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në atë që quhet politika e shpëtimit të fytyrës që ka shërbyer edhe në kohën e Milosheviqit”, tha ajo.

Presidentja shtoi se nuk duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë, në spastrim etnik sepse ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë.

“Sot ne po përkujtojmë masakrën e Abrisë ku janë vrarë dhjetëra fëmijë, gra e pleq, më i vogli mosha 2 vjeçare. Valmir Deliu me biberon në gojë është masakruar në mënyrën më mizore të mundur dhe kushdo që shikon fytyrën e Valmirit të vogël nuk mund të quaj atë që ka ndodhur në Kosovë thjesht spastrim etnik sepse ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid, krime lufte”.

Osmani tha se Kosova si shtet i pavarur është projekt e sukses kombëtar e jo vetëm projekt e sukses i qytetarëve të Kosovës, prandaj secili shqiptar gjithandej tha se e ka për obligim që ta mbrojë e shtyjë përpara këtë projekt.

Osmani: Zbatojmë vendimin e kushtetueses për Asociacionin, jo marrëveshjen

Kur foli për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Osmani tha se Kosova do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth asociacionit dhe jo atë që është nënshkruar në Bruksel.

“Ka dallim të  madh, është një det i tërë mes asaj që është nënshkruar në Bruksel dhe asaj që thotë Gjykata Kushtetuese e cila nuk lejon as kompetenca ekzekutive për një Asociacion të tillë, as nuk lejon që ai të jetë monoetnik e as nuk lejon të jetë një pushtet i ndërmjetëm që do të binte  ndesh me kushtetutën tonë. Prandaj qëndrimi ynë është ky: ne zbatojmë vendimin e Gjykatës tonë kushtetuese i cili nuk lejon krijimin e entiteve monoetnike me vetë parimin e multietnicitetit dhe SHBA nuk po kërkon të biem ndesh me këtë vendim të kushtetueses”, tha presidentja Osmani.

Osmani tha se Kosova ka një bazë ligjore që i përgjigjet kërkesave të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ligji ynë për Vetëqeverisje Lokale lejon që komunat të krijojnë organizata jo qeveritare për interesa të caktuara që ato duan t’i shtyjnë përpara, që të lobojnë me nivelin qendror të qeverisjes, por jo të kenë kompetenca ekzekutive e të krijojnë pushtet të ndërmjetëm e të bien ndesh me kushtetutën tonë. Pra, ato që i kërkon vendimi i Gjykatës tashmë janë pjesë e legjislacionit të Republikës së Kosovës. Pra, komunat e Kosovës pavarësisht shumicës që i takojnë tashmë i kanë këto të drejta që i ka kërkuar Gjykata Kushtetuese”.

Presidentja tha se edhe në propozimin 6 pikësh të Kosovës sa i përket elementeve të marrëveshjes finale ne kemi propozuar po ashtu që të diskutohet për të drejtat e pakicave, gjithnjë duke marr për bazë parimin e reciprocitetit.

“Pra gjithçka që diskutohet për të drejtat e serbëve në Kosovë duhet të diskutohet edhe për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, sepse mos harroni që edhe vetë organizatat ndërkombëtare kanë ardhur në konkluzion se çfarë po ndodhë në Luginën e Preshevës është spastrim etnik me mjete administrative ndaj shqiptarëve nga ana e regjimit të Vuçiqit”.

Osmani inkurajon opozitën t’i përgjigjen ftesave të saj

Presidentja Osmani tha se Republika e Kosovës e ka një politikë të jashtme konsistente në këtë periudhë ku të gjitha qëndrimet tha se koordinohen ndërmjet institucioneve madje edhe me opozitën.

“Natyrisht që bisedojmë edhe me opozitën për të gjitha sfidat që ballafaqohemi dhe mirëpresim kontributin e tyre në këtë drejtim. Pra, qëndrimi Republikës së Kosovës është që ky proces duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke dhe vijat e kuqe i ka vendosur tashme Kuvendi i Republikës së Kosovës,  ato janë rrugëtimi ynë, udhë rrëfimi i vetëm nuk mund të ketë prekje të integritetit territorial, nuk mund të ketë prekje të sistemit kushtetues dhe parimit të unitaritetit të shtetit dhe nuk mund të preket funksionaliteti i brendshëm i Republikës, natyrisht që nuk vije në shprehje të diskutohet siç është  sovraniteti apo kufijtë e Kosovës”, tha Osmani.

Tha se opozitën e ka ftuar në takim me synimin që t’i informojë për detajet rreth zhvillimeve.

“Prandaj edhe këtu e shfrytëzoj mundësinë që t’i inkurajojë që t’i përgjigjen ftesave të tilla që e kanë vetëm qëllimin e mirë të koordinimit të plotë të politikës sonë të jashtme dhe në veçanti të politikës tonë në raport me Serbinë. Sepse sa i përket raporteve tona me Serbinë, sfidave që i paraqet ky shtet ndaj nesh, ne duhet të jemi të bashkuar siç e kemi dëshmuar shumë shpesh gjatë historisë tonë. Dhe qëllimi i këtyre takimeve ku unë e ftoj opozitën është që ata të jenë të mirinformuar për aq sa kam informata unë si president e Republikës, natyrisht nga komunikimi edhe me partnerët tanë ndërkombëtar, sepse unë mendoj që është me rëndësi pavarësisht sa ulëse ka në parlament që ta jap kontributin e vetë të rëndësishëm sa i përket përballjes tonë me Serbinë, vetëm atëherë kur ne kemi qenë të bashkuar kemi qenë të suksesshëm në këtë përballje”.

Presidentja: Interes i Serbisë të zvarrisë dialogun me dhjetëra vite

Sipas presidentes interesi i Serbisë është të zvarrisë zgjidhjen e të vazhdojnë edhe me dhjetëra e qindra vite pa arritur asgjë në këtë proces e dialogu ta mbaj Kosovën peng.

“Prandaj është me rëndësi që kemi këtë përkrahje të fuqishme jo vetëm nga BE-ja si tërësi, por edhe nga shtete të veçanta si Gjermania e Franca në nivelet saj më të larta në mënyrë që të shtyhen përpara zgjidhjet që kanë për qëllim stabilitetin afatgjatë dhe jo vetëm zgjidhjet e shkurtëra. Natyrisht që në këto takime diskutohet shumëçka, por ajo çka është me rëndësi është që tani jemi në fazën kur po diskutohen elementet marrëveshjes finale. Sa i përket këtyre elementeve ne kemi dhënë propozimin tonë, ai propozim është publik, ka të bëjë me 6 kapituj kryesor dhe secili kapitull  ka detajet e veta”.

Osmani: Nuk kemi propozime për kornizë të re të dialogut

Në këtë intervistë për Zërin e Amerikës e para e shtetit u pyet edhe për dokumentet që qarkulluan në opinion si një kornizë e re e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Ajo tha se ato nuk janë dokumente që i janë propozuar apo dorëzuar ndonjëherë Republikës së Kosovës.

“Mos harroni sa herë që ka përpjekje të intensifikuara në dialogun Kosovë - Serbi gjithnjë kemi edhe dokumente te cilat dalin nga organizata fantome që propozohen e ide të ndryshme që propozohen në media,  por në fakt të tillat nuk kanë qenë të propozuara si dokumente në takimet tona. Ajo çfarë është duke ndodhur megjithatë është një intensifikim i rolit të Gjermanisë dhe Francës si dy shtete të fuqishme brenda  Bashkimit Evropian për të ndihmuar që ky proces të jetë shumë më produktiv”, tha Osmani.

Presidentja: Serbia udhëhiqet nga mendësia e Putinit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu besimin se  kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, do të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviqit, duhet gjuhë e qartë, e veprime të qarta.

Në intervistë për “Zërin e Amerikës”, Osmani deklaroi se  pritshmëria e Kosovës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, natyrshëm se është përqendrimi në njohjen reciproke, sepse kjo është e vetmja zgjidhje e cila çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

“Gjysmë zgjidhjet në fakt asnjëherë nuk prodhojnë paqe dhe stabilitet afatgjatë, por në anën tjetër i japin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë dhe po ashtu të investojë edhe më shumë në destabilizimin e rajonit tonë”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se: -“për fat të keq edhe kjo që po ndodh tashmë në Ukrainë, që nga 24 shkurti i vitit 2022, po dëshmon se shtetet autokratike, siç është Serbia, siç është Rusia e cila e kontrollon edhe Serbinë, asnjëherë nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre, përkundrazi, Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese”.

Presidentja Osmani u shpreh se tanimë shihet se Serbia vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin qoftë politik, qoftë ekonomik apo ushtarak me Rusinë, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e ndikimit rus në tërë rajonin tonë dhe rrezikimin e rajonit tonë.

“Prandaj besoj që kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviqit, duhet gjuhë e qartë, veprime të qarta”.

Presidentja Osmani deklaroi se edhe vetë marrëveshja e fundit që Serbia nënshkroi me Rusinë për të përcaktuar vijat e politikës së saj të jashtme, në fakt në bashkëpunim me Rusinë dhe jo me BE-në, është një mesazh i qartë që Serbia nuk është e interesuar që të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon, apo të anëtarësohet në BE.

“Përkundër veprimeve të tyre, ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA, të jetë një proces që i kontribuon paqes afatgjate në rajonin tonë dhe që natyrisht është i përqendruar në njohje reciproke”, tha Osmani në “Zërin e Amerikës”.


MË SHUME NGA Lajme