Dita Botërore e Turizmit, Shqipëria numër më të lartë turistësh se në 2019
BKT
Shqipëri

Dita Botërore e Turizmit, Shqipëria numër më të lartë turistësh se në 2019

ATSH

Dita Botërore e Turizmit (WTD) festohet në mbarë botën çdo 27 shtator, një datë që është zgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror, që ndodhi më 27 shtator 1970.

Këtë vit mesazhi në të gjitha vendet anëtare të UNWTO është “Rethinking Tourism”.

Shqipëria është kthyer sot në një destinacion të preferuar turistik falë pamjeve mahnitëse, vendeve interesante historike, kulturës dhe traditës së veçantë, si dhe mikpritjes së shqiptarëve.

Më shumë se 5.6 milionë shtetas të huaj kanë vizituar në tetë muaj Shqipërinë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në raport me 8-mujorin e vitit të kaluar numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me 29.3%. Vetëm në gusht sipas INSTAT në vend kanë hyrë 1.7 milionë të huaj.

“Gjatë tetë mujorit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,1 herë dhe Greqia me 2,1 herë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pasur rritjen më të ulët me 6,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021”, thuhet në raportin e INSTAT.

Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur Shqipërinë të katërtën në botë për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit. Kjo renditje tregon rimëkëmbjen e këtij sektori për sa i përket flukseve ndërkombëtare gjatë pesë muajve të parë të vitit 2022.

Sipas OBT-së, Shqipëria ka një përmirësim me +11% nga viti 2019, i cili ka qenë viti më i mirë për sa i përket hyrjes së vizitorëve të huaj në vendin tonë.

Edhe fluksi i prurjeve nga turistët e huaj në Shqipëri ka shënuar shifra rritjeje duke regjistruar vitin më të mirë historik të turizmit.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e të huajve në Shqipëri në gjashtë muajt e parë të vitit arritën në 1,13 miliardë euro, me një rritje prej 64% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Që në tremujorin e parë të vitit, shpenzimet e të huajve në Shqipëri e tejkaluan me 17% nivelin e 2019-s, ndërsa në të dytin zgjerimi ishte dhe më i fortë me bazë vjetore, me 43%.

Gjatë kësaj periudhe në vendin tonë u rritën edhe prurjet valutore të të huajve që shënuan rritje me 32%.


MË SHUME NGA Shqipëri